Kryetari i Alternativës dhe një nga liderët e koalicionit VLEN, Zeqirija Ibrahimi, ka marrë pjesë sot në ceremoninë zyrtare të ndarjes së Çmimit Shtetëror “22 Nëntori” në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, me rastin e shënimit të Ditës së Alfabetit.
“Sot, në festën e Alfabetit, isha i nderuar të jem i pranishëm në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku u realizua ceremonia zyrtare e ndarjes së çmimit shtetëror ‘22 Nëntori’,” shkruan Ibrahimi në reagimin e tij.
Ai theksoi se çmimi iu nda historianit Sevdail Demiri dhe shkrimtarit Resul Shabani, duke theksuar rëndësinë e këtij vlerësimi. “Nuk ka mënyrë më të mirë sesa këtë ditë të veçantë të kombit shqiptar ta shënojmë përmes një akti të këtillë mirënjohjeje ndaj kontributit të figurave shkencore e kulturore në mesin tonë,” u shpreh ai.
Ibrahimi njoftoi gjithashtu se ua ka uruar fituesve këtë vlerësim të rëndësishëm. “Fituesve ua urova çmimin duke u dëshiruar produktivitet më të lartë në botën akademike dhe artistike,” përmbylli ai.
Burimi: alfax.mk


