Një “joint venture” për centralin e Zaporizhzhias, ngrirja e vijës së frontit, një ushtri ukrainase e fortë: këto janë disa nga pikat e planit që për Kievin përfaqëson “përpjekjen më të mirë për t’i dhënë fund luftës me Rusinë”.
Drafti i planit të paqes që Volodymyr Zelensky e ka çuar në Florida për t’ia paraqitur Donald Trumpit është përshkruar nga Kievi si “përpjekja më e mirë për t’i dhënë fund luftës me Rusinë”. 20 pikat e shpallura javën e kaluar pas negociatave me SHBA-të përbëjnë një plan “90% të gatshëm”, por vetë Zelensky ka pranuar se ka ende çështje të pazgjidhura.
Për cilat pika bien dakord Kievi dhe Uashingtoni?
Trump është shprehur dakord për nevojën e ofrimit të garancive të sigurisë për të penguar një pushtim të ri rus ndaj Ukrainës. Këto garanci, përveç një mekanizmi të ngjashëm me nenin 5 të NATO-s, përfshijnë në propozimin e Zelenskyt edhe një ushtri në kohë paqeje prej 800 mijë ushtarësh, e financuar nga partnerët perëndimorë, si dhe anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian.
Kievi dëshiron që marrëveshja të përfshijë një datë të saktë për hyrjen në BE, për ta bërë këtë një garanci të qartë dhe konkrete. Megjithatë, duke pasur parasysh kompleksitetin e negociatave të anëtarësimit dhe kundërshtimin e disa shteteve anëtare, nuk është e sigurt që Brukseli do të pranojë të vendosë një afat të shkruar.
Kush duhet të garantojë sigurinë e Ukrainës?
Garancitë do të përfshinin një marrëveshje dypalëshe sigurie me Shtetet e Bashkuara, të miratuar nga Kongresi, si dhe mbështetje ushtarake evropiane për mbrojtjen ajrore, tokësore dhe detare të Ukrainës. Disa vende evropiane janë shprehur të gatshme të dislokojnë forca në Ukrainë në kuadër të këtij paketi, megjithëse Rusia historikisht ka kundërshtuar një prani të tillë trupash.
Ukraina dhe SHBA-të kanë rënë dakord gjithashtu për një sërë masash për të shmangur rifillimin e armiqësive, si një mekanizëm monitorimi i vijës së kontaktit. Drafti i planit përfshin edhe angazhimin për lirimin e të gjithë robërve të luftës dhe civilëve të ndaluar, si dhe organizimin e zgjedhjeve në Ukrainë sa më shpejt të jetë e mundur pas nënshkrimit të marrëveshjes së paqes.
Pse Donbasi mbetet nyja më e vështirë?
Fati i territorit nën kontrollin e Ukrainës në rajonin lindor të Donetskut mbetet pika më komplekse. Një propozim i mëparshëm ruso-amerikan parashikonte tërheqjen e forcave ukrainase nga zonat e Donetskut që aktualisht janë nën kontrollin e tyre dhe krijimin e një zone neutrale të çmilitarizuar. Kievi e ka refuzuar këtë opsion, duke thënë se nuk mund të dorëzojë njëanshmërisht territore që nuk janë pushtuar nga Rusia.
Kompromisi i përshkruar nga Zelensky bazohet në krijimin e një zone të çmilitarizuar në Donetsk, por e shtrin atë jo vetëm në zonat e braktisura nga forcat ukrainase, por edhe në ato të kontrolluara nga Rusia, nga të cilat ushtria ruse do të duhej të tërhiqej. Një zonë tampon, e ruajtur nga forca ndërkombëtare, do t’i ndante palët brenda zonës së çmilitarizuar.
Pse centrali i Zaporizhzhias, tani nën kontrollin rus, është një pikë e ndjeshme?
Bëhet fjalë për centralin bërthamor më të madh në Evropë. Kievi thotë se i nevojitet për rindërtimin pas luftës. Trump kishte propozuar që Uashingtoni, Kievi dhe Moska ta ndanin kontrollin dhe fitimet. Megjithatë, Zelensky ka shpjeguar se nuk mund ta ndajë menaxhimin me Moskën.
Në vend të kësaj, ai ka sugjeruar një kompromis sipas të cilit centrali do të funksiononte si një “joint venture” mes Kievit dhe Uashingtonit, me Shtetet e Bashkuara të autorizuara t’i ndanin fitimet sipas dëshirës. Një zgjidhje e tillë do t’i lejonte Uashingtonit të arrinte një marrëveshje të veçantë me Moskën për këtë çështje.
Cili është qëndrimi i Moskës?
Të shtunën në mbrëmje, disa orë para mbërritjes së Zelenskyt në Florida, Vladimir Putin deklaroi se “njerëz të zgjuar” në Perëndim po e nxisin Ukrainën të “pranojë kushte dinjitoze për t’i dhënë fund konfliktit” dhe të sigurojë “kushte të mira” për sigurinë afatgjatë dhe rimëkëmbjen ekonomike të Ukrainës.
“Nëse autoritetet e Kievit nuk duan ta zgjidhin çështjen në mënyrë paqësore,” paralajmëroi ai, Rusia do t’i arrijë objektivat e saj “me mjete të armatosura”. Dhe, sipas deklaratave të bëra ditët e fundit para sipërmarrësve rusë, ai ka theksuar se ndër prioritetet e tij mbetet kontrolli i plotë i Donetskut — një tokë që përfaqëson portën e Evropës.
Top Channel
Burimi: top channel


