cfare eshte komisioni per kompensim per ukrainen 69410db573f83

Çfarë është Komisioni për Kompensim për Ukrainën?

December 16, 2025
min lexim

Më 16 dhjetor, Ukraina do t’i afrohet sigurimit të kompensimit për dëmet e shkaktuara nga Rusia që nga nisja e pushtimit të saj në shkallë të plotë në shkurt të vitit 2022.

Politikanë të lartë, me gjasë përfshirë edhe presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe shefja e Komisionit Evropian, Urusla von der Leyen, do të shkojnë në Hagë për të iniciuar një konventë që do të krijojë një Komision Ndërkombëtar për Kompensim për Ukrainën.

Në njëfarë forme, ky është hapi i dytë nga tre sa kërkohen që Kievi të marrë kompensim në të ardhmen. Hapi i parë u ndërmor në vitin 2023, kur Këshilli i Evropës vendosi të themelonte Regjistrin për dëmet për Ukrainën.

Ky Regjistër tashmë është funksional dhe deri më tani ka pranuar mbi 60 mijë kërkesa nga shtete, organizata dhe individë. Faza e tretë dhe përfundimtare është krijimi i një fondi të kompensimit, por kjo fazë mbetet për të ardhmen dhe aktualisht shihet si e pamundur, duke pasur parasysh se Moska ka treguar shumë pak gatishmëri për një gjë të tillë.

Zyrtarët evropianë me të cilët ka diskutuar Radio Evropa e Lirë, megjithatë u shprehën të bindur se puna për krijimin e Regjistrit dhe tashmë edhe të Komisionit për Kompensim duhet të vazhdojë nga tani, pasi kjo do të luajë një rol, në një formë ose tjetër, si reparacione, që me gjasë do të jenë pjesë e çfarëdo marrëveshje të paqes mes Rusisë dhe Ukrainës.

Pra, çfarë realisht do të bëjë Komisioni për Kompensim? Përderisa Regjistri deri më tani ka mbledhur dhe ka dokumentuar kërkesat për kompensim si dhe ka ruajtur provat që mbështesin këto pretendime, Komisioni tani do ta vazhdojë këtë punë duke i shqyrtuar këto kërkesa dhe duke përcaktuar se çfarë lloj kompensimi, nëse do të ndodhë, do të jepet.

Ky Komision do të shqyrtojë ngjarjet që nga nisja e pushtimit të plotë të Ukrainës më 24 shkurt 2022 e tutje. Mandati i tij mbulon të gjithë territorin e Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht, përfshirë edhe tokat që Rusia aktualisht i ka nën kontroll dhe ato që i ka mbajtur që nga aneksimi i Krimesë më 2014 dhe luftimeve që pasuan në rajonet ukrainase të Donjeckut dhe Luhanskut. Po ashtu, këtu përfshihen edhe hapësira ajrore e Ukrainës, rrugët ujore brenda vendit dhe territoret detare si dhe avionët dhe anijet nën juridiksionin e Kievit.

Konventa do të hyjë në fuqi pasi të ratifikohet nga 25 shtetet pjesëmarrëse. Kjo pritet të ndodhë relativisht shpejt, duke qenë se Regjistri u mbështet nga 41 shtete, përfshirë të gjitha shtetet anëtare të BE-së, me përjashtim të Hungarisë. Sipas diplomatëve me të cilët ka kontaktuar REL-i, edhe tani pritet të arrihet një numër i ngjashëm.

Hapi i radhës tani është që sekretariati i Regjistrit të bëhet sekretariat i Komisionit për Kompensim. Përderisa nuk është vendosur ende, me gjasë Komisioni do të ketë selinë në Hagë, siç e kishe edhe Regjistri kur u themelua. Holanda ndoshta është shteti që ka udhëhequr këtë çështje dhe ka qenë një lojtare kyç në hartimin e konventës dhe sigurimit të miratimit nga disa trupa të Këshillit të Evropës gjatë vitit të kaluar.

Sapo të bëhet funksional, tri panele do të krijohen për të vlerësuar të gjitha pretendimet. Anëtarët e këtyre paneleve do të quhen “komisionarë” dhe mund të aplikojnë drejtpërdrejt për këtë pozitë edhe pse me shumë gjasë shtetet që janë pjesë e konventës do të nominojnë ekspertët e tyre kombëtarë në fusha sikurse ligji ndërkombëtar, zgjidhja e mosmarrëveshjeve, sigurimet dhe vlerësimi i dëmeve.

Ndonëse Regjistri dhe Komisioni kanë një orientim të fortë evropianë dhe janë vendosur brenda kornizës institucionale të Këshillit të Evropës, ato janë të hapura për shtete nga e gjithë vota. Në fakt, ishte një rezolutë që trajtonte kompensimet në të ardhmen për Ukrainën, e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 2022, që e nisi gjithë këtë proces.

Rusia po ashtu mund të bashkohet edhe si anëtare me të drejta të plota apo si “vëzhguese”, edhe pse kjo tani shihet se “ka pak gjasa që të ndodhë” nga zyrtarët evropianë me të cilët bisedoi REL-i. Nëse Moska do të bëhej anëtare në të ardhmen, ajo do të duhej të mbulohet shpenzimet e gjithë Komisionit, të cilat tani pritet të mbulohen përmes kontributeve nga shtetet pjesëmarrëse. / REL

Burimi: botasot.info

VERO JUMBO MACEDONIA

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

nderron jete kandidati per deputet ne kuvendin e kosoves 69410d9e657e0
Lajmi i mëparshëm

Ndërron jetë kandidati për deputet në Kuvendin e Kosovës

analiza e dw ballkani perendimor ende ne pike kritike 69410f8ba20a5
Lajmi i radhës

Analiza e DW: Ballkani Perëndimor, ende në pikë kritike

Të fundit nga

ShkoLartë