cfare eshte bordi i paqes i trumpit e kush i eshte bashkuar deri tani 697164b5e1ad8

Çfarë është ‘Bordi i Paqes’ i Trumpit e kush i është bashkuar deri tani?

January 22, 2026
min lexim

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka ftuar dhjetëra udhëheqës botërorë që t’i bashkohen nismës së tij Bordi i Paqes, e cila synon zgjidhjen e konflikteve globale, por diplomatët thonë se ajo mund të dëmtojë punën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Ndërsa disa aleatë tradicionalë të SHBA-së janë përgjigjur me kujdes dhe, në disa raste, e kanë refuzuar ofertën e Trump-it, të tjerë – përfshirë vende që prej kohësh kanë pasur marrëdhënie të tensionuara me Uashingtonin, si Bjellorusia – e kanë pranuar, shkrun Reuters.

Çfarë është bordi i paqes i Trumpit?

Trump e propozoi për herë të parë Bordin e Paqes shtatorin e kaluar, kur njoftoi planin e tij për t’i dhënë fund luftës në Gaza. Më vonë ai e bëri të qartë se mandati i bordit do të zgjerohej përtej Gazës, për të trajtuar edhe konflikte të tjera në mbarë botën.

Presidenti amerikan do të jetë kryetari i parë i bordit dhe, sipas një kopjeje të draft-kartës të parë nga Reuters, bordi do të ketë për detyrë promovimin e paqes në botë dhe punën për zgjidhjen e konflikteve.

Sipas kartës, shtetet anëtare do të kufizohen në mandate trevjeçare, përveç rasteve kur paguajnë nga 1 miliard dollarë secila për të financuar aktivitetet e bordit dhe për të fituar anëtarësim të përhershëm.

Shtëpia e Bardhë ka emëruar Sekretarin amerikan të Shtetit Marco Rubio, të dërguarin special të Trump-it Steve Witkoff, ish-kryeministrin britanik Tony Blair dhe dhëndrin e Trump-it, Jared Kushner, si anëtarë të Bordit Ekzekutiv themelues të nismës.

Cilat vende e kanë pranuar deri tani ftesën e Trump-it?

Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë tha të mërkurën se rreth 35 udhëheqës botërorë kanë pranuar deri tani t’i bashkohen Bordit të Paqes, nga rreth 50 ftesa që janë dërguar.

Mes tyre janë aleatë të Lindjes së Mesme si Izraeli, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahrejni, Jordania, Katari dhe Egjipti. Anëtarë të NATO-s, Turqia dhe Hungaria – udhëheqësit nacionalistë të të cilave kanë kultivuar lidhje të mira personale me Trump-in – kanë rënë gjithashtu dakord të marrin pjesë, ashtu si edhe Maroku, Pakistani, Indonezia, Kosova, Uzbekistani, Kazakistani, Paraguaji dhe Vietnami.

Të tjerë që e kanë pranuar janë Armenia dhe Azerbajxhani, të cilat arritën një marrëveshje paqeje të ndërmjetësuar nga SHBA-ja gushtin e kaluar, pasi u takuan me Trump-in në Shtëpinë e Bardhë.

Më kontravers është fakti që presidenti bjellorus Aleksandër Lukashenko, i shmangur prej kohësh nga Perëndimi për shkak të bilancit të dobët të të drejtave të njeriut në vendin e tij dhe mbështetjes për luftën e Rusisë në Ukrainë, ka pranuar ftesën e Trump-it. Kjo vjen në kuadër të një afrimi më të gjerë mes Uashingtonit dhe Minskut.

Rusia, e cila ka parë një përmirësim të ndjeshëm të marrëdhënieve të ftohta me Uashingtonin ndërsa Trump kërkon afrimin me presidentin Vladimir Putin dhe akuzon Kievin se po bllokon përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, ende nuk ka thënë nëse do t’i bashkohet Bordit të Paqes.

As Kina nuk e ka bërë këtë, ndonëse shpesh ka qenë në përplasje me Trump-in, por së fundmi ka arritur një armëpushim të brishtë tregtar.

Rusia dhe Kina janë të dyja anëtare me të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe ka gjasa të tregohen të kujdesshme ndaj çdo nisme që mund të shihet si dobësim i fuqisë së tyre brenda organizatës botërore.

Trump, i cili shpesh e ka kritikuar OKB-në si joefikase, i minimizoi këtë javë shqetësimet se Bordi i tij mund të zëvendësonte organizatën botërore, duke thënë: “Unë besoj se duhet ta lejoni OKB-në të vazhdojë, sepse potenciali është shumë i madh.”

Cilat vende kanë refuzuar të bashkohen ose nuk janë angazhuar ende?

Nisma e Bordit të Paqes, e cila vjen në një kohë përçarjeje në rritje transatlantike për Grenlandën, tarifat dhe çështje të tjera, ka marrë një reagim të kujdesshëm nga disa aleatë të ngushtë të SHBA-së, të cilët shpesh ndihen të parehatshëm me qasjen agresive, njëanshme dhe “Amerika e Para” të Trump-it në diplomacinë ndërkombëtare.

Norvegjia dhe Suedia e kanë refuzuar ftesën, ndërsa ministri italian i Ekonomisë, Giancarlo Giorgetti, tha se anëtarësimi në bord dukej problematik. E përditshmja italiane Il Corriere della Sera raportoi se bashkimi me një grup të udhëhequr nga lideri i një vendi të vetëm do të shkelte kushtetutën e Italisë.

Franca gjithashtu synon ta refuzojë ftesën, tha një burim pranë presidentit Emmanuel Macron, duke e shtyrë Trump-in të kërcënojë me tarifa 200% për verërat dhe shampanjat franceze nëse Parisi nuk i bashkohej bordit të tij.

Kanadaja tha se ka rënë dakord “në parim” për t’u bashkuar, por se detajet janë ende duke u diskutuar. Aleatë të tjerë kyç të SHBA-së, përfshirë Britaninë, Gjermaninë dhe Japoninë, nuk kanë marrë ende një qëndrim të qartë publik. Megjithatë, një zëdhënës i qeverisë gjermane tha se kancelari Friedrich Merz nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të bordit të enjten në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.

Ukraina ka thënë se diplomatët e saj po e shqyrtojnë ftesën, por presidenti Volodymyr Zelenskiy ka deklaruar se e ka të vështirë të imagjinojë veten në ndonjë bord me Rusinë pas katër vitesh lufte.

Papa Leo, papa i parë amerikan dhe kritik i disa politikave të Trump-it, është ftuar t’i bashkohet bordit dhe po e vlerëson propozimin, njoftoi Vatikani të mërkurën.

Çfarë fuqie do të ketë bordi?

Këshilli i Sigurimit i OKB-së në nëntor i dha mandat Bordit të Paqes, por vetëm deri në vitin 2027 dhe vetëm për t’u fokusuar te Gaza. Rusia dhe Kina abstenuan, duke u ankuar se rezoluta e hartuar nga SHBA-ja nuk i jepte OKB-së një rol të qartë në të ardhmen e Gazës.

Rezoluta mirëpriti krijimin e Bordit të Paqes si një administratë kalimtare “që do të vendosë kornizën dhe do të koordinojë financimin për rindërtimin e Gazës” sipas planit të paqes të Trump-it, deri sa Autoriteti Palestinez të reformohet në mënyrë të kënaqshme.

Ajo gjithashtu autorizoi Bordin e Paqes të vendosë një Forcë Ndërkombëtare të Përkohshme Stabilizimi në Gaza. Bordi është i detyruar t’i raportojë Këshillit të Sigurimit me 15 anëtarë çdo gjashtë muaj mbi progresin e tij.

Përtej Gazës, mbetet e paqartë se çfarë autoriteti ligjor ose mjetesh zbatimi do të ketë Bordi i Paqes, apo si do të bashkëpunojë me OKB-në dhe organizata të tjera ndërkombëtare.

Karta e bordit thotë se kryetari i tij, Trump, do të ketë fuqi të gjera ekzekutive, përfshirë aftësinë për të vënë veton ndaj vendimeve dhe për të larguar anëtarë, me disa kufizime.

Sipas kartës, Bordi do të ndërmarrë “funksione për ndërtimin e paqes në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”.

Burimi: botasot.info

VERO JUMBO MACEDONIA

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

ldk del me njoftim te ri per konferencen e neserme tregohet arsyeja e thirrjes 6971649ee3bb7
Lajmi i mëparshëm

LDK del me njoftim të ri për konferencën e nesërme, tregohet arsyeja e thirrjes

video stuhia e fuqishme godet italine jugore dhe mesdheun qendror permbytje dhe dallge deri ne 9 metra 69716666b2f61
Lajmi i radhës

Video/ Stuhia e fuqishme godet Italinë jugore dhe Mesdheun qendror, përmbytje dhe dallgë deri në 9 metra

Të fundit nga

ShkoLartë