Ja çfarë duhet të dijë një fëmijë para se ta lini vetëm në shtëpi për një periudhë të caktuar dhe kur konsiderohet i gatshëm për këtë përgjegjësi
Në një moment, prindërit do të duhet ta lënë fëmijën vetëm në shtëpi, dhe mbetet çështje vlerësimi personal të kuptohet se kur fëmija është i përgatitur për këtë. Ndjenja e frikës apo shqetësimit te prindërit është krejt normale.
Nëse pyesni se kur mund të mbetet fëmija vetëm dhe çfarë duhet të dijë para kësaj, psikologët japin sqarimet që zgjidhin këtë dilemë prindërore.
Kur mund të mbetet fëmija vetëm në shtëpi
“Herët a vonë, prindërit do të duhet ta lënë fëmijën vetëm në shtëpi për një kohë të shkurtër – është një fazë e rëndësishme në zhvillimin e pavarësisë. Megjithatë, kjo kërkon përgatitje të caktuar. Numrat e telefonit të prindërve, gjyshërve si dhe numrat e emergjencës duhet të jenë të shkruar dhe të vendosur në një vend të dukshëm, për shembull në pasqyrë në korridor ose në frigorifer. Fëmija duhet të dijë si të përdorë telefonin, në mënyrë që të mund të telefonojë nëse ka nevojë”, shpjegon psikologia Julia Tokarczuk.
Ajo shton se fëmijët duhet të mësojnë paraprakisht rregulla bazë të sigurisë në shtëpi:
të mos hapin derën për të huaj dhe të mos u thonë se janë vetëm në shtëpi
të mos përkulen apo mbështeten në dritare
të mos dalin vetëm në ballkon
të mos marrin ilaçe pa lejen e të rriturve
të mos përdorin sobën kur prindërit nuk janë aty
Psikologia Tokarczuk thekson se këto rregulla duhet t’u përsëriten shpesh fëmijëve, duke biseduar me ta për situata të ndryshme të jetës dhe duke i pyetur se si do të vepronin në raste të caktuara, çfarë nuk duhet të bëjnë dhe çfarë pasoja mund të ketë.
Kur fëmija mbetet vetëm në shtëpi, prindërit duhet të sigurohen që të gjithë pajisjet elektrike janë të fikura, që ilaçet apo substancat kimike nuk janë të arritshme për fëmijën, dhe që dritaret e ballkoni janë të mbyllura.
Fillimisht, një fëmijë 7–8 vjeç mund të lihet vetëm për 10–15 minuta, p.sh. sa të shkoni në një dyqan afër. Kur të ktheheni, bisedoni me fëmijën për atë që ka bërë gjatë mungesës suaj dhe përgëzojeni.
Kur nuk duhet ta lini fëmijën vetëm në shtëpi
Psikologia klinike dhe familjare Olga Boshkova thotë se ka shumë situata kur nuk rekomandohet të lihet fëmija vetëm, edhe nëse mendoni se është i pavarur.
Fëmija që ende nuk ka filluar shkollën
Edhe nëse fëmija 5-vjeçar duket i pjekur dhe i di rregullat, nuk është e udhës të lihet vetëm, pasi mund të ndodhë një situatë e paparashikuar ku ai nuk do të dijë si të reagojë, p.sh., një zjarr në ndërtesë.
Fëmija i madh kujdeset për më të voglinKujdesi për fëmijët është përgjegjësi e të rriturve. Në një situatë të papritur, fëmija më i madh nuk do të dijë si të veprojë sepse nuk ka aftësitë e duhura dhe përvojën për këtë përgjegjësi.
Fëmija mbetet me një të rritur që ka nevojë për ndihmë
Ndonjëherë prindërit e lënë fëmijën me gjyshër që lëvizin vështirë ose që vetë kanë nevojë për kujdes. Megjithëse teorikisht fëmija është nën mbikëqyrjen e një të rrituri, gjendja shëndetësore e gjyshit ose gjyshes mund të përkeqësohet papritur mund të rrëzohen, të kenë një krizë mjekësore etj. Fëmija nuk do të dijë si të reagojë.
Dikush duhet të hyjë në shtëpi
Nëse pritet të vijë një korrier, mjeshtër apo ndonjë person i panjohur, nuk është e udhës të lihet fëmija vetëm për ta pritur.
Burimi: botasot.info

