carje e thelle e tokes ne likove rrezikohen shtepite dhe rruga rajonale 69330f3896845

Çarje e thellë e tokës në Likovë, rrezikohen shtëpitë dhe rruga rajonale

December 5, 2025
min lexim

Toka, tekstualisht është çarë në hyrje të Likovës. Një çarje e thellë dhe e gjerë po shtrihet nëpër tokë dhe ngadalë po i afrohet shtëpive dhe rrugës rajonale, duke shqetësuar banorët dhe duke vënë në pikëpyetje sigurinë e gjithë lagjes. Pamjet dramatike të publikuara fillimisht nga TV21 tregojnë një çarje të thellë deri në rreth një metër, e cila tashmë po shkakton dëme në terren dhe paraqet rrezik serioz për objektet dhe infrastrukturën përreth.

Banorët e Likovës thonë se jeta dhe prona e tyre janë të rrezikuara dhe kërkojnë reagim të shpejtë nga pushteti lokal dhe institucionet shtetërore, para se rrëshqitja e dheut të zgjerohet edhe më shumë. Sipas disa raportimeve mediatike, disa nga familjet më afër çarjes tashmë janë zhvendosur, ndërsa frika është se çdo shi i ri ose shkrirje më e madhe e borës mund ta përshpejtojë rrëshqitjen e tokës dhe të ndërpresë rrugën që e lidh fshatin me Kumanovën.

Shtabi komunal i krizës për mbrojtje dhe shpëtim në Likovë ka mbajtur një takim lidhur me situatën e re, ku kanë qenë të pranishëm përfaqësues të IZIIS-it dhe të Fakultetit të Ndërtimtarisë në Shkup. Pas inspektimit në terren, nga këto dy institucione është kërkuar të përgatisin masa të propozuara për sanim dhe një studim profesional për mënyrën se si të zgjidhet përfundimisht problemi me rrëshqitjen e aktivizuar.

Ndërsa shërbimet profesionale po e matin terrenin, heshtja institucionale po e rrit edhe më shumë nervozizmin e banorëve. Gazeta “Veçer” shkruan se është përpjekur të marrë përgjigje nga komuna e Likovës për planin e masave urgjente, por në numrin zyrtar askush nuk është paraqitur. E njëjta situatë është edhe me Qendrën për Menaxhim me Kriza, prej nga nuk është marrë një sqarim i qartë nëse dhe çfarë koordinimi është vendosur në nivel shtetëror.

Ligji është i qartë: në raste të tilla komuna është e para që ka detyrimin të reagojë dhe, nëse nuk ka kapacitete të mjaftueshme, kryetari i komunës mund të kërkojë ndihmë nga komunat fqinje, ndërsa për rrëshqitje më të mëdha duhet të përfshihet edhe Qeveria përmes Qendrës për Menaxhim me Kriza. Praktikisht, kjo nënkupton aktivizim të mekanizimit, teste gjeomekanike dhe eventualisht përforcim ose devijim të rrugës, për të parandaluar ndërprerjen e qarkullimit dhe dëmet e drejtpërdrejta ndaj shtëpive. Në realitet, qytetarët për momentin shohin vetëm shirita dhe paralajmërime, ndërsa çarja rritet nga dita në ditë.

Rasti në Likovë i rikthen edhe një herë pyetjet për atë se sa në kohë monitorohen rreziqet nga rrëshqitjet dhe erozioni në një vend ku një pjesë e madhe e fshatrave janë ndërtuar në pjerrësi, mbi lumenj apo pranë tokës së vjetër jostabile. Për banorët, megjithatë, të gjitha analizat sistemore vlejnë shumë më pak se pyetja e thjeshtë: a do të mbeten shtëpitë të paprekura dhe a do të jetë rruga e sigurt për fëmijët e tyre nesër në mëngjes.

Burimi: alfax.mk

VERO JUMBO MACEDONIA

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

heidi klum sjell shkelqimin me nje fustan mahnites te kuq 693305b84a28e
Lajmi i mëparshëm

Heidi Klum sjell shkëlqimin me një fustan mahnitës të kuq

qytetaret padi mpb se dhe ankese ne gjykaten kushtetuese per sistemin safe city 693316536ab22
Lajmi i radhës

Qytetarët, padi MPB-së dhe ankesë në Gjykatën Kushtetuese për sistemin “Safe City”

Të fundit nga

ShkoLartë