Publicisti Viktor Buzhala ka reaguar ndaj paralajmërimeve se Serbia po shqyrton mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër, duke thënë se një veprim i tillë mund të hapë një precedent që, sipas tij, do ta vendoste vetë Serbinë në një pozitë shumë më të pafavorshme.
Në një reagim në Facebook, Buzhala ka bërë një përllogaritje të prurjeve ujore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke pretenduar se sasia e ujit që rrjedh nga territori i Kosovës drejt Serbisë është dukshëm më e madhe sesa ajo që hyn nga Serbia në Kosovë përmes Ibrit.
Sipas tij, nga Serbia drejt Kosovës përmes Ibrit hyjnë mesatarisht rreth 350 deri në 440 milionë metra kub ujë në vit.
Ndërkohë, ai pretendon se nga Kosova drejt Serbisë rrjedhin rreth 1.2 deri në 1.25 miliardë metra kub ujë në vit.
“Vetëm Ibri, pasi kalon Kosovën, merr Sitnicën dhe lumenjtë e përrenjtë e tjerë, i çon Serbisë rreth 950–970 milionë metra kub ujë në vit. Morava e Binçës ia shton edhe rreth 280 milionë metra kub në vit”, ka shkruar Buzhala.
Sipas tij, nëse Serbia do të krijonte precedentin që një shtet në pjesën e sipërme të rrjedhës së një lumi mund t’ia devijojë ujin një shteti që ndodhet më poshtë, atëherë duhet të llogarisë se edhe vetë Serbia ndodhet në pozicionin “downstream” në raport me disa rrjedha ujore që vijnë nga Kosova.
Buzhala ka theksuar gjithashtu se Kosova, sipas tij, ka alternativa për furnizimin me ujë të Korporatës Energjetike të Kosovës, edhe në një skenar eventual të problemeve me furnizimin nga Ujmani.
Ai thotë se për nevojat e Kosovës A dhe Kosovës B do të nevojiteshin rreth 22 milionë metra kub ujë në vit, ndërsa një sistem alternativ me kapacitet prej një metër kub në sekondë do të siguronte rreth 31.5 milionë metra kub ujë në vit.
Sipas Buzhalës, vetëm Sitnica bart rreth 400 milionë metra kub ujë në vit, ndaj një pjesë relativisht e vogël e kësaj sasie, pas trajtimit, mund të përdorej për nevojat industriale të KEK-ut.
“Uji mund të merret, trajtohet dhe pompohet drejt një rezervuari pranë KEK-ut ose drejtpërdrejt në sistemin industrial”, ka shkruar ai.
Si një tjetër alternativë, Buzhala përmend edhe liqenin e Batllavës, duke theksuar se ai ishte ndërtuar fillimisht edhe për nevojat e termocentraleve dhe se mund të studiohej furnizimi shtesë i tij nga sistemi i Llapit.
Sipas tij, këto projekte do të ishin shumë më të vogla sesa përpjekja për të zëvendësuar tërësisht sistemin e Ibrit.
Në fund, Buzhala ka paralajmëruar se përdorimi i ujit si instrument presioni mund të prodhojë pasoja edhe për vetë Serbinë.
“Serbia duhet ta dijë se kërcënimi me ujë është lojë me dy porta. Na e ndalni ujin që vjen nga territori juaj, ekziston mundësia fizike që edhe Kosova ta mbajë ujin që krijohet në territorin e saj”, ka shkruar Buzhala.
Ai ka përfunduar duke thënë se, nëse Beogradi dëshiron ta shndërrojë ujin në instrument presioni politik, duhet të analizojë me kujdes edhe pozitën e vet gjeografike dhe hidrologjike para se të krijojë një precedent të tillë.
Burimi: botasot.info


