Funksionari i lartë i VLEN-it, Burim Latifi, përmes një videoje të publikuar në faqen e tij zyrtare në facebook, ka ironizuar ashpër kandidatin e BDI-së opozitare për kryetar të komunës së Çairit, Bujar Osmani, duke e cilësuar të painformuar dhe pa kontribut për këtë komunë.
Shkak për reagimin e Latifit u bë një video propaganduese e Osmanit, i cili kishte dalë në parkun e Çairit për të kritikuar gjendjen e tij.
“Kjo video dëshmon vetëm një gjë, sa i painformuar është sot Bujar Osmani dhe sa i pa interesuar ka qenë për Çairin në të kaluarën”, ka thënë Latifi.
Latifi gjithashtu ka theksuar se parku i Çairit nuk është në kompetencë të komunës së Çairit, por të qytetit të Shkupit, ku pushtetin e kontrollon vetë BDI me Danellën dhe me Levicën. Pikërisht ata, sipas Latifit, e kanë lënë hapësirën në gjendje të mjerueshme, duke bllokuar edhe projektin konkret që komuna e Çairit kishte përgatitur për përmirësimin e parkut.
“Kur Bujar Osmani akuzon komunën, ai vetëm po tregon se sa i papërgatitur dhe jo kompetent është për rolin që pretendon. Një kandidat për kryetar komune që nuk njeh kompetencat bazë dhe përgjegjësitë e institucionit që synon ta drejtojë, nuk mund të jetë zgjidhje për Çairin”, është shprehur Latifi.
Ai ironizoi gjithashtu mburrjet e Osmanit për funksionet që ka pasur në qeveri.
“Qytetarët nuk kanë nevojë të dëgjojnë se në sa pozita ke qenë, por çfarë ke bërë për Çairin. Dhe për fat të keq, kontributi yt është ZERO!”, theksoi Latifi.
Duke përmendur menaxhimin e mbi 630 milion eurove fonde IPA nga Osmani gjatë periudhës 2017-2020, Latifi shtoi: “Si koordinator kryesor për IPA fondet, Osmani nuk ka sjellë as edhe një projekt në komunat shqiptare, në Çair ZERO. Nuk ka menduar asnjëherë për projekte për salla sportive, panele diellore apo për infrastrukturë. Ai është njeriu i posteve, jo i punës dhe kjo është arsyeja pse qytetarët nuk duhet t’i besojnë më.”


