Kandidati i Bashkimit Demokratik për Integrim për kryetar të komunës së Çairit, Bujar Osmani, përmes një video mesazhi, ka akuzuar udhëheqjen aktuale të komunës për korrupsion, nepotizëm dhe mungesë transparence, duke thënë se këto praktika e kanë mbytur zhvillimin e Çairit.
“Çairi sot është një nga komunat më jo transparente në vend. Korrupsioni dhe nepotizmi e kanë bllokuar çdo progres. Komuna është uzurpuar nga ata që në vend se t’i shërbejnë qytetarëve, punojnë vetëm për interesat e tyre”, ka deklaruar Osmani.
Ai premtoi se pas zgjedhjeve të 19 Tetorit, Çairi do të hyjë në një fazë të re të qeverisjes së hapur, duke prezantuar një set mekanizmash të rinj nën emrin “Syri i qytetarit”, që sipas tij do të shërbejë si mburojë kundër korrupsionit.
Osmani tha se “Syri i qytetarit” përfshin katër masa konkrete:
Transmetim publik të tenderëve, çdo hapje e ofertave do të bëhet me transmetim LIVE dhe do të publikohet në internet.
Monitorim të pavarur nga OJQ-të, procedurat e përzgjedhjes së ofertuesve do të ndiqen nga organizata dhe ekspertë të pavarur anti-korrupsion.
Publikim online të financave komunale, me iniciativën “Arka publike”, të gjitha llogaritë, të ardhurat dhe shpenzimet e komunës do të jenë të aksesueshme për qytetarët.
Përdorim i inteligjencës artificiale në verifikimin e dokumenteve, për të eliminuar ndikimin e faktorit njerëzor dhe për të garantuar respektimin e ligjit në çdo procedurë.
Sipas Osmanit këto mekanizma nuk do të varen nga dëshira e mirë e kryetarit, por do të jenë garanci e qartë që Çairi do të qeveriset ndryshe dhe me këtë do të bëhet komuna më transparente në vend.


