Në një intervistë ekskluzive për PressOnline.al, kandidati i BDI-së dhe Aleancës Kombëtare për Integrim, Dr. Bujar Osmani, shpalos master planin urbanistik për Çairin, prioritetet për pastërtinë, hapësirat rinore e sportive, si dhe përplasjen e tij me Izet Mexhitin dhe ndikimin e “botës serbe” në vend.
PressOnline: Cilat janë pikat kryesore të master planit tuaj për Komunën e Çairit dhe cilat projekte do të kenë përparësi nëse fitoni mandatin?
Bujar Osmani: Mendoj, përparësia njëherë është se unë në fillim të mandatit po bëj plan, për shkak se konsideroj se pa plan nuk mund të nisish asnjë punë, jo pas njëzet viteve të ndërtimit të Çairit ju të bëni plan sepse nuk bëhet plani pa përfunduar një shtëpi. Unë dua të me vizion se ku e shoh Çairin pas një viti, pas 5 viteve, pas 10 viteve. Nuk ju them njerëzve se unë do e bëj ashtu si është në plan brenda një viti, por u them se asnjë hap nuk do e bëj jashtë planit dhe kjo do të jetë marrëveshja me qytetarin.
Domethënë do e prezantoj planin se si do të duket Çairit pas 5 viteve para njerëzve, nëse njerëzit e votojnë atë plan, atëherë ai do të jetë plan për të cilin jemi dakorduar dhe çdo gur që do e lëvizim do jetë në kuadër të planit. Kam angazhuar ekpertizën më të madhe botërore, Michel Roykind, mund ta kërkoni në internet, është emri më i madh botëror për urbanizëm dhe arkitekturë, i cili ka bërë projektet më të mëdha botërore, nga Forbes është përcaktuar si një prej njerëzve më me ndikim në botë sa u takon planeve urbanistike dhe kam pas fatin që të kem kontakte me të, komunikim që të angazhohet për Çairin dhe ai me ekipin e tij ka qenë në Çair, ka inçizuar Çairin, ka marrë të gjitha hartat dhe janë duke punuar me arkitektë rajonal dhe arkitektë të Çairit, të cilët i dinë edhe rrethanat lokale, për të rregulluar vizionin për Çairin, duke nisur nga qarkullimi për shkak se siç e dini, bulervardet kryesore të Çairit janë të ndërprera në dy pika kryesore dhe kjo mundëson që të krijohet qafat e ngushta, siç është në Çairçankë dhe mos ketë qarkullim të lirë.
Prandaj është shumë me rëndësi që bulevardet të lidhen, të gjitha këto dy ndërprerjet kryesore të vazhdohen edhe atëherë do të ketë lëvizje të lirë edhe nuk do ketë më qafa të ngushta. Nën dy, zonat ndërmjet këtyre bulevardeve do të duhet të urbanizohen, për shembull Gazi Baba nuk ka Plan Detal Urbanistik që nga viti ‘95, me ligj është e obliguar komuna që çdo pesë vite të adoptojë Planin Detal Urbanistik edhe prandaj, në komunikim ne do të bëjmë përpjekje të ndihmojmë në Planin Gjeneral, në Planin Urban dhe këto kuartet e paurbanizuara, siç është Dizhoni, Serova dhe Gazi Baba, të kenë formën e saktë se si do të duket pas pesë viteve, dhjetë viteve edhe ngadalë-ngadalë do të nisim bashkë më qytetarët procesin e urbanizimit atje.
Do të krijojmë hapësira publike, shumë është me rëndësi të vendosim hapësira publike. Unë jam mjek dhe kam thënë se çdo projekt në komunën e Çairit dua ta lidhi me shëndetin e njeriut, çdo rrugë që bëhet ka pasojë tek shëndeti i njeriut, çdo trotuar ka pasojë në shëndetin e njeriut. A e dini ju raportin e policisë që katër incidente me trotinetë ndodhin në ditë në Çair, të cilët përfundojnë në sallën e operacionit për shkak të mungesës së trotuareve, për shkak së sinjalizimit të duhur. Katër qytetarë të Çairit futen në sallë të operacionit gjatë ditës, çdo ditë për shkak të këtyre mungesave, prandaj dua që çdo zonë të ketë hapësira publike, të ketë sinjalizim të duhur, të kemi një Çair modern.
Unë dëgjoj në këto takimet me qytetarët, qytetarët kanë ende jama septike, nuk kanë kanalizim, nuk kanë presion të ujit, tek Mendeleeva në Gazi Babë nuk ka ujë, njerëzit kanë filluar të hapin bunare nëpër oborret e tyre për të siguruar ujë. Domethënë, kemi një mungesë planifikimi, 20 vjet është punuar pa plan dhe tash pas 20 viteve është angazhuar një ekip prej tyre të bëjmë planin, ajo është sikur të bësh shtëpi dhe në fund të shtëpisë të kërkosh të bësh plan. Ka mungesë të kushteve bazike për jetë. Çairi është komuna më e ndotur në Shkup, Çairi është komuna më jotransparente në Shkup, komuna më kaotike në Shkup, prandaj unë dua të bëj një vizion të një Çairi modern, në të cilin bashkë me qytetarët do të dakordohemi për atë plan dhe pastaj do të nisim një nga një, hap pas hapi, ta realizojmë atë vizion për Çairin.
PressOnline: Shumë qytetarë ankohen për menaxhimin e mbeturinave dhe mungesën e pastërtisë në lagje. Si planifikoni ta zgjidhni këtë problem?
Bujar Osmani: Siç thashë, Çairi është komuna më e ndotur në Shkup, përmenda përsëris si mjek disa fakte, 30% e sëmundjeve kronike te fëmijët, siç janë astma, bronhiti kronik ose te të rriturit infarkti, sulmi në tru, kanceri i mushkërive bëhet prej pluhurit urban, atyre partiklave PM si i quani e dini, të cilat hyjnë drejtpërdrejt në organet e fëmijëve dhe i dëmtojnë. Fëmijët tanë çdo ditë rriten nëpër pluhurin e Çairit dhe ne e kemi kuptuar këtë sikur të jetë diçka normale, jo nuk është normale ne të jemi komuna më e ndotur.
Më turpëron mua si qytetar i Çair që të jemi komuna më e ndotur, pse ne jemi qytetarë të tillë apo komuna nuk e ka bërë punën si duhet. Çdo rrugë e papastruar do të thotë dikush nuk e ka kryer punën si duhet dhe prandaj unë kam vendosur që çështjen e pastërtisë ka bëj një nga prioritetet numër një. Do të bëjmë ndërmarrje publike të komunës vetëm për higjienë, sikur që e ka Qyteti i Shkupit, do të jetë vetëm për rrugët e komunës, për parqet e komunës, por pse jo edhe për rrugët që janë përgjegjësi të Çairit. Do të punësojmë 120 të punësuar me vendim, të cilët do të jenë të uniformuar që kur të dalin njerëzit prej në shtëpi të tyre për në punë, njerëzit e parë që do t’i shohin në rrugë do t’i shohin këta punëtorë të uniformuar duke larë e pastruar. A e mbani mend ju kur janë larë me ujë rrugët e Çairit, për shkak se nuk ka mekanizim?!
Do blejmë mekanizimin e duhur për larjen e rrugëve që të ketë larje të vazhdueshme, të hiqet gjithë ai pluhur që i helmon fëmijët e mi dhe fëmijët e juaj, por edhe ta ndajmë Çairin në rajone të dijmë këto 120 punëtorë si do t’i distribuojmë dhe ata çdo ditë do të jenë nëpër rrugët e Çairit. Kam thënë nëse nuk e bëj në fund të mandatit, Çairin komunën më të pastër atëherë nuk e meritoj mandatin. E dyta, mendoj dua që ta bëjmë mobilizim gjithëpopullor, dua që t’i ftoj qytetarët, t’i angazhoj shkollat, t’i angazhoj organizatat joqeveritare, të bëjmë aksione vullnetare, me bashkësitë lokale, komuna bashkë, unë të dal çdo ditë me bashkësitë lokale të pastroj një mëhallë, të mbjellim një dru, të bëjmë një gjelbrim që të na bëhet shprehi se çështja e pastërtisë është obligim i 62.000 qytetarëve që jetojnë në Çair, mirëpo dikush duhet ta udhëheqë atë proces, dikush duhet ta ndihmojë dhe kjo është ideja ime, ndërmarrje me të gjitha kushtet dhe mobilizim gjithëpopullor për ta bërë pastërtinë parakusht numër një.
PressOnline: Çairi ka një numër të madh të rinjsh. Çfarë programesh dhe hapësirash konkrete planifikoni për t’i mbështetur ata në arsim, punësim dhe aktivitete sociale?
Bujar Osmani: Sipas statistikave 47% e banorëve të Çairit janë nën moshën 30 vjet. Ky është një numër jotipik për komunat tjera, 50% e popullatës së Çairit janë në moshë të re, të cilët janë në fazë të jetës ku janë më energjik, ku janë më produktiv, kur kanë nevojë për të çliruar energjinë e tyre të përditshme. Çairi nuk mund t’ua afrojë atë, pasi nuk kanë ata mundësi ku të kalojnë, ku të manifestojnë cilësitë e tyre, nuk ka qendër kulturore Çairi, nuk ka qendër rinore Çairi, nuk ka aktivitete, ka tre salla sportive të cilat janë jofunksionale. Ata nuk kanë mundësi ku të bëjnë aktivitete sportive. Një i ri, energjia e të riut nuk humbet, nëse nuk kanalizohet aty ku duhet, do të duhet të kanalizohet aty ku s’duhet. Nëse nuk e kanalizoni energjinë e të riut në salla sportive, në qendra rinore, në qendra kulturore, atje ku do të shprehin ata kreativitetin e tyre maksimal, atëherë ata do të shkojnë në rrugë të cilat janë jo të mira.
Është obligimi jonë që t’u mundësojmë atyre, prandaj kam propozuar që te Sheshi Skenderbe, atje mbi shkallë, i cili tash është krejtësisht i papërdorur, është bërë një zonë bërllogjesh, të krijojmë një qendër të madhe multifunksionale, rinore, kulturore, edukative, në të cilën do të gravitojnë të rinjtë. Kemi paraparë festivalin “Doku në Shkup” që do të jetë 60 ditor gjatë muajve të verës dhe shumë aktivitete tjera, për shkak se e kam me rëndësi që të rinjve të Çairit t’ua kanalizojmë institucionalisht energjinë rinore.
PressOnline: Infrastruktura sportive në Çair është e kufizuar. Si do ta përmirësoni gjendjen dhe a planifikoni ndërtimin e terreneve të reja sportive?
Bujar Osmani: Në një prej shkollave të Çairit, e kemi shkollën “Jashar Bej Shkupi” e cila nuk ka sallë sportive, fëmijët janë privuar nga salla. Sallat tjera ekzistuese nëpër shkolla janë të parenovuara, jo të përshtatshme. Mora një raport shumë të rëndësishëm prej një mjeku ortoped, i cili i kontrollon fëmijët e Çairit dhe më tha se në një shkollë të Çairit çdo i dyti fëmijë ka probleme me kurrizin, çdo i dyti dhe kjo është për shkak se nuk kanë aktivitete fizike nëpër shkolla.
Fëmijët janë në moshë formative, kur ju formohet trupi dhe po nuk kanë trajnime të përditshme fizike, për shkak se edukata fizike nuk është për t’ua humbur kohën fëmijëve, është për t’ua formësuar trupin dhe mendjen, ndërsa ju keni shkollë në Çair ku çdo i dyti fëmijë ka problem me kurrizin, me skoliozë, me klifozë, kjo është përgjegjësi e komunës, dikush ka faj që ata fëmijë rriten të pashëndetshëm dhe prandaj është e rëndësishme që të ndërtohet salla te “Jashar Bej Shkupi”, të cilën ne në koordinim me Departamentin e Sportit kemi vendosur ta quajmë Aziz Salihu, sallën “Partizan” do e renovojmë tërësisht si qendër multifunksionale sportive, të cilën do e quajmë Shaban Sejdiu, sepse janë dy figura sportive të cilëve duhet t’u japim respekt dhe nder këtu në Çair, por gjithashtu edhe çdo objekt sportiv tjetër, përfshirë këtu edhe parqet në të cilat qytetarët do të mund të kenë aktivitete fizike pavarësisht të të gjitha moshave.
PressOnline: Si e vlerësoni garën me kundërkandidatin tuaj Izet Mexhiti dhe çfarë i ofron ndryshe Bujar Osmani banorëve të Çairit në krahasim me të?
Bujar Osmani: Unë mendoj se kontrasti më i madh në këto zgjedhje është pikërisht në Çair, pasi që janë dy koncepte krejtsisht ndryshe. Ajo që kam vërejtur është se njerëzit nuk kërkojnë vetëm ndërrimin e politikanëve, ata kërkojnë ndërrimin e kulturës së funksionimit, ata dojnë ta ndërrojnë kulturën e menaxhimit korruptiv të komunës me ndershmëri. Nëse diçka kam dëshmuar në karrierën time, qoftë si kirurg, qoftë si ministër, në çfarëdo funksioni, është se askush për mua me gisht nuk mund të bëjë për çështje të korrupsionit. Ky është kontrast i madh mes nesh.
Çështjen e disciplinës së punës, unë jam kirurg dhe një kirurg punën e parë që e mëson është disciplinën e punës, të rrish shumë netë pa gjum duke iu shërbyer njerëzve, të zgjohesh në pesë në mëngjes t’i kalosh rrugët e Çairit siç kam premtuar çdo ditë që do e bëj dhe të mbash mbledhjen e parë në shtatë në mëngjes për të detyra dhe të shkosh në punë në 1 pasdite është dallim i madh, ky është edhe një kontast mes nesh. Pastaj kultura e uzurpimit të tokës shtetërore dhe private, e ndërtimeve pa leje, e ndërtimeve me dokumente të falsifikuara, unë nuk do e bëj atë asnjëherë, unë do dal para njerëzve me planin saktë, po Çairi duhet të urbanizohet, Serava duhet të ketë ndërtesa, duhet të urbanizohet, edhe Dizhoni, edhe Gazi Baba, po në bazë të një plani të cilin do e prezantojmë dhe qytetarët do e miratojnë dhe pastaj askush nuk do të mund të lëviz një centimër nga ai plan. Këto janë koncepte krejtësisht ndryshe, ndershmëria, disciplina e punës dhe çështja e rendit në funksionim.
Mendoj që kjo është ajo që kërkojnë qytetarët përveç faktit se në këto zgjedhje keni edhe dy koncepte kombëtare, keni një betejë të popullit me një eksperiment të Kryeministrit Mickoski, i cili tenton të përçajë faktorin politik shqiptar, por duke angazhuar miqtë e tij t’i prezantojë si përfaqësues të shqiptarëve. Nuk mundet udhëheqësia shqiptare të vendoset në pallatin e bardhë të VMRO DPMNE-së, në këto zgjedhje ne duhet t’i themi JO, jo VLEN-it, ne do e fitojmë VLEN-in, rezultatet janë 3 me 1, problemi është që Mickoski do e krijon një VLEN tjetër. Ne në embrion duhet ta fitojmë idenë se udhëheqësia shqiptare krijohet në zyrat e pallatit të bardhë, jo, udhëheqësia e shqiptarëve krijohet në çdo vendvotim, atje ku votojnë shqiptarët, në Serovë, në Dizhon, në Gazi Babë, në Teneqe Mahallë, në Dyqanxhik, në Çair të Vjetër e jo te Pallati i Bardhë i VMRO-së, prandaj këto zgjedhje janë referendum, qytetarët për këtë vendosin, kush vendos për ta Pallati i Bardhë apo kutia e votimit.
PressOnline: Pse thoni se këto zgjedhje janë referendum? Thirrni për një pjesëmarrje në zgjedhje si për referendum?
Bujar Osmani: Për shkak se na është marrë statusi i zotit të shtëpisë, domethënë deri në 2001-shin ne kemi qenë qiraxhinj, ne s’na ka pyet askush, ne kemi qenë të përjashtuar prej institucioneve, e dini Klinika e Shkupit ka pasur zero mjek shqiptar, administrata ka pasur 0.2%, në polici ka pasur 100 shqiptarë gjithsej, në ushtri ke pasur 46 oficerë shqiptarë para 2001-shit, ti thjesht ke qenë popull qiraxhi i përjashtuar. Me Marrëveshjen e Ohrit ne filluam të bëhet zot shtëpie, ta marrim tapinë e shtëpisë, ne të vendosim për fatin tonë, gjuha jonë të bëhet zyrtare, nga 46 në ushtri sot janë mbi dy-tre mijë oficerë shqiptar, nga 100 polic sot janë 3000 polic shqiptar, nga asnjë mjek në klinikë sot në çdo klinikë ju i keni mjekët më të mirë shqiptar.
Thjesht, shqiptarët filluan për herë të parë ta ndjejnë shtetin si shtëpinë e tyre, të bëhen zot në shtëpinë e tyre. Për një vjet e gjysëm, ne na është marrë tapia, nën një na është marrë sovraniteti, e drejta ne të vendosim për fatin tonë, ngase siç thashë udhëheqësia shqiptare nuk vendoset në kutitë e votimi ku aty votojnë shqiptarët, po te Pallati i VMRO-DPMNE-së dhe i Mickoskit. Na është marrë e drejta e balancuesit, na është marrë e drejta e vetos se duan ta anulojnë Badenterin, na është marrë e drejta e gjuhës.
Ne e lamë Qeverinë me Kryeministër, ku përfuam sot, përfunduam zero! Në çdo punësim në institucion shtetëror, shqiptarët janë shndërruar në zero dhe prandaj është ky referendum që qytetarët atë ditë kur do të dalin të votojnë se a duan që shqiptarët të bëhet përsëri zot në shtëpinë e vet apo do të duan ta mbajnë statusin e qiraxhisë, të përjashtuar, të nënçmuar, të kapur për veshi. Ky do të jetë vendimi i çdo qyterari më 19 tetor dhe do varet prej nesh se cilën rrugën do e lëmë trashëgimi për fëmijët tanë dhe për nipat tanë.
PressOnline: VMRO-DPMNE ju sulmon vazhdimisht, madje edhe Kryeministri Mickoski hyn personalisht në përplasje me ju, a jeni ju there në sy për ta?
Bujar Osmani: Kryeministrit Micskoski i pengon se mundet një shqiptar të udhëheqë shtetin, mundet një shqiptar të negocion në emër të shtetit, thjesht të jetë i barabartë me të. Edhe ai e din se në çdo funksion që kam pasur, unë nuk kam pranuar pozicion të nënshtruar, unë kam thënë kur jam ministër i jashtëm i bëj të gjitha detyrat e mia në kuadër të kompetencave të mia si ministër i jashtëm, askënd nuk e kam lënë të ndërhyjë në kompetencat e mia dhe atyre ju pengon ky model, se mundet një shqiptar të ketë vetëbesim të mjaftueshëm edhe të ndihet në institucioni si zot në shtëpinë e vet, për shkak se ata janë mësuar që t’i kenë shqiptarët pro forma me titull ministër, mirëpo ata t’ua vendosin mbi kokë një njeri, një komision, siç bëjmë në këtë qeveri.
Pavarësisht se kemi ministra shqiptar, takimet VMRO DPMNE i bën dy orë para seancës së Qeverisë, vetëm me ministrat dhe zëvendësministrat e VMRO-së, i mbajnë mbledhjet i marrin vendimet dhe kur vijnë këto të VLEN-it, vetëm formalisht i kalojnë sa për të dalë në fotografi. Unë nuk e kam lejuar këtë dhe ata janë friguar se po krijoher një model i një politikani shqiptar, i cili e ndjen shtetin të vetin edhe nuk e ndjen veten në asnjë mënyrë më pak të vlefshëm, më pak të rëndësishëm, por merr përgjegjësi për vendosur në emër të shtetit për të negociuar në emër të shtetit. Atyre nuk ju pengon Bujar Osmani se ka bërë diçka keq për shtetin, se ata e dijnë se vendi është në NATO edhe për shkak të kontributit tim, vendi ka filluar bisedimet për shkak të kontributit tim, gjuha maqedone është sot në Bashkimin Europian për shkak kontributit tim. Atyre ju pengon fakti se po krijohet një model i një politikani shqiptar, i cili nuk pranon asnjë milimetër të jetë më i parëndësishëm ose me më pak përgjegjësi se ata tjerët, këtij trendi i frikësohen.
PressOnline: A jemi vërtet të rrezikuar nga “bota serbe” dhe në çfarë e mbështetni këtë pohim?
Bujar Osmani: Shihni në politikë vakum nuk ka, ose jeni në BE ose jeni pjesë e botës serbo-ruse. Kjo ka qenë gjithmonë, sa ma përpara ecni në rrugën e BE-së, aq më shumë shkëputeni nga bota serbo-ruse. Sa ma tepër e ngadalësoni rrugën për në BE, automatikisht ju bëheni pjesë e botës serbe.
Dy fenomene janë duke ndodhur, nën një është bllokuar tërësisht rruga për në Bashkimin Europian dhe kjo është shërbimi më i madh që i është bërë botës serbe se interesi i botës serbe është ta mbajë Maqedoninë e Veriut si një foshnje e vetme, në ndikimin e vet që t’i kapë instrumentet kryesore të shtetit, t’i kapë bankat, t’i kapë mediumet, ta kapë ekonominë edhe shtetin e thellë, shërbimet dhe kështu në këtë mënyrë ta kontrollon.
Sa ma tepër ne bëjmë reforma drejt BE-së, ne ia prishim planet botës serbe, prandaj bota serbe është ulë në dy këmbë, në Maqedoninë e Veriut, fillimisht duke e emëruar Zëvendëskryeministrin për Marrëveshjen e Ohrit, Stoilkoviqin, pastaj duke hapur bankën serbe, pastaj duke kapur telekomunikimin, pastaj duke u instaluar në biznes.Ju mendoni se rastësisht është ky bllokim drejt Bashkimit Europian, është thjesht plan i botës serbe për të na larguar nga Bashkimi Europian, që të bëhemi pjesë atje dhe VLEN-i është bërë jo vetëm argat, tenton edhe ta legjitimon një politikë të tillë.
Shqiptarët nuk do të pranojnë se ata e dijnë se është baraspeshë, një hap drejt Europës është një hap larg botës serbe dhe e kundërta. Kjo Qeveri është duke punuar që Maqedonia e Veriut të bëhet djep dhe foshnje e botës serbe dhe ruse këtu.


