bozhinovska nga prishtina siguria energjetike nuk njeh kufij rajoni duhet te lidhet dhe te veproje si nje sistem i vetem energjetik 6a4639ad1d4d6

Bozhinovska nga Prishtina: Siguria energjetike nuk njeh kufij – rajoni duhet të lidhet dhe të veprojë si një sistem i vetëm energjetik

July 2, 2026
min lexim
IMG 4308

Ministrja e energjisë, minierave dhe burimeve minerale, Sanja Bojinovska, sot në Prishtinë mori pjesë në Këshillin joformal ministror të Komunitetit të Energjisë, ku ministrat e rajonit, përfaqësues të Komisionit Evropian dhe Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë diskutuan për integrimin e përshpejtuar të vendeve të Ballkanit Perëndimor në tregun evropian të energjisë elektrike dhe gazit natyror, për sigurinë energjetike dhe për forcimin e bashkëpunimit rajonal.
Në fjalimin e saj, ministrja Bojinovska theksoi se siguria energjetike sot është çështje e përgjegjësisë së përbashkët dhe se vetëm përmes lidhjes së infrastrukturës, harmonizimit të politikave dhe investimeve të përbashkëta rajoni do të mund t’u përgjigjet me sukses sfidave të ardhshme.
„Vizioni ynë afatgjatë është i qartë – një sistem energjetik rajonal plotësisht i integruar që do të lidhë rrjetet e energjisë elektrike, gazit dhe ato të ardhshme të hidrogjenit. Nga diversifikimi te dekarbonizimi, nga interkonektorët te tregjet e përbashkëta – rajoni duhet të funksionojë si një sistem i vetëm i integruar energjetik. Maqedonia po integrohet me shpejtësi në tregun evropian të energjisë përmes interkonektorëve të rinj, bashkëpunimit rajonal dhe tranzicionit të gjelbër,” theksoi Bojinovska.
Ministrja theksoi se Maqedonia tashmë po ndërmerr hapa konkretë për forcimin e sigurisë energjetike përmes diversifikimit të burimeve të furnizimit dhe realizimit të projekteve kyçe infrastrukturore.
Në këtë drejtim, ajo informoi se interkonektori i gazit me Greqinë duhet të përfundojë deri në vitin 2027, ndërsa interkonektori me Serbinë po hyn në fazën e realizimit me përfundim të pritshëm rreth vitit 2028. Këto projekte do të mundësojnë qasje në burime të reja të gazit natyror, përfshirë gazin natyror të lëngshëm (LNG) përmes Greqisë, duke rritur ndjeshëm sigurinë, fleksibilitetin dhe qëndrueshmërinë e sistemit energjetik.
Duke u ndalur te integrimi në tregun evropian të energjisë elektrike, Bojinovska rikujtoi se Maqedonia në maj të këtij viti vuri në funksion tregun intraditor të energjisë elektrike, që përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt lidhjes së plotë me tregun evropian të energjisë dhe integrimit më të mirë të burimeve të rinovueshme.

lg.php?bannerid=0&campaignid=0&zoneid=247&loc=https%3A%2F%2Ftetovasot

Për më tepër, në Këshillin Ministror u përshëndet progresi që Maqedonia ka arritur në harmonizimin me legjislacionin evropian të energjisë, si pjesë e procesit për integrim në tregun e vetëm evropian të energjisë elektrike. Ministrat theksuan rëndësinë e përfundimit në kohë të këtij procesi, i cili do të mundësojë një lidhje edhe më të fortë të tregjeve kombëtare me sistemin energjetik evropian.
Ministrja dërgoi një mesazh të qartë se e ardhmja e energjetikës në rajon varet nga veprimi i përbashkët, ndërsa takimi i sotëm ministror ka dërguar një sinjal të fortë se të gjitha vendet e rajonit ndajnë të njëjtin vizion – siguri më të madhe energjetike, lidhje më të fortë rajonale dhe integrim më të shpejtë në sistemin energjetik evropian.
„Integrimi në tregun evropian të energjisë është një mundësi për të ndërtuar një ekonomi më konkurruese, për të tërhequr investime të reja dhe për të siguruar energji më të pastër dhe më të sigurt për qytetarët tanë. Ne mbetemi plotësisht të përkushtuar ndaj reformave dhe partneriteteve që do ta çojnë Maqedoninë dhe gjithë rajonin drejt një të ardhmeje të qëndrueshme energjetike”, theksoi ministrja.
Në takim u theksua nevoja për diversifikim të përshpejtuar të burimeve të furnizimit me gaz natyror, forcim të interkonekcioneve rajonale dhe politika të koordinuara për rritjen e qëndrueshmërisë së sistemeve energjetike. Si një nga mësimet kryesore nga krizat gjeopolitike të fundit, të cilat shkaktuan goditje serioze të çmimeve dhe ndikuan drejtpërdrejt në buxhetet e qytetarëve, u theksua nevoja që Evropa dhe rajoni të rrisin prodhimin e energjisë nga burimet e tyre dhe të ulin varësinë nga furnizuesit e jashtëm. Në këtë kontekst, ministrat vlerësuan se investimet në infrastrukturë të re energjetike, kapacitete vendore prodhuese dhe solidaritet rajonal do të jenë kyçe për një furnizim të qëndrueshëm, të sigurt dhe afatgjatë me energji.
IMG 4308

IMG 4310

IMG 4307

Burimi: lajmpress.org

VERO

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

IDEAL FILMS

nis pagesa e k 15 ne sektorin privat minimumi per vitin 2026 eshte 19 116 denare 6a46387ff399f
Lajmi i mëparshëm

Nis pagesa e K-15 në sektorin privat, minimumi për vitin 2026 është 19.116 denarë

Të fundit nga

ShkoLartë