Një person ka humbur jetën në Emiratet e Bashkuara Arabe pasi mbetjet e raketave të interceptuara ranë mbi një zonë banimi në Abu Dhabi, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve WAM, duke cituar Ministrinë e Mbrojtjes.
Sipas autoriteteve, viktima është një shtetas aziatik, i cili u godit nga copëzat e mbetura pas ndërhyrjes së sistemeve të mbrojtjes ajrore që rrëzuan raketa balistike të lëshuara nga Irani. Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur se u interceptuan “një numër” raketash dhe e cilësoi sulmin si “një përshkallëzim të rrezikshëm dhe një akt frikacak”.
Ngjarja vjen në kuadër të ofensivës së gjerë iraniane ndaj objektivave amerikane në rajon, në përgjigje të sulmeve të ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli.
Ndërkohë, një video e verifikuar nga CNN tregon momentin kur një raketë godet një bazë të Marinës amerikane në Bahreini. Një zyrtar amerikan konfirmoi për median se baza ishte objektiv i një sulmi me raketa nga Irani.
Situata në rajon mbetet tejet e tensionuar, me disa shtete të Gjirit që kanë aktivizuar sistemet e mbrojtjes ajrore për të përballuar valën e sulmeve, ndërsa frika për një përshkallëzim të mëtejshëm vijon të rritet.
Burimi: opinion.al


