Sekretari i Përgjithshëm i Partia e Lirisë, Tedi Blushi, deklaroi se kanë kaluar gati dy javë nga depozitimi në Kuvend i projektligjit të kësaj force politike për uljen e çmimit të karburanteve, ndërsa sipas tij nuk ka pasur asnjë reagim nga qeveria dhe mazhoranca.
Në një deklaratë, Blushi akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe shumicën parlamentare se po neglizhojnë një problem që, sipas tij, prek drejtpërdrejt familjet dhe bizneset shqiptare.
Ai kërkoi miratimin me urgjencë të pr/ligjit të PL për uljen e çmimit të karburanteve.
“Sot çmimi i naftës në Shqipëri ka arritur rreth 200 lekë për litër, ndërkohë që mbi 60% e këtij çmimi janë taksa që shkojnë drejtpërdrejt në buxhetin e shtetit. Partia e Lirisë beson se e vetmja politikë reale, e vërtetë dhe që ndihet në xhepin e qytetarit, që po aplikohet nga shtete edhe të Europës Perëndimore, por edhe në vendet e rajonit, është ulja e taksave”, shprehet Blushi.
Ai kritikoi gjithashtu nivelin e taksës së qarkullimit dhe mënyrën se si përdoren të ardhurat e mbledhura nga kjo taksë. Sipas Blushit, qytetarët paguajnë rreth 27 lekë për litër taksë qarkullimi, e cila me TVSH arrin në rreth 32 lekë për litër, ndërsa në total nga kjo taksë mblidhen rreth 300 milionë euro në vit, ndërkohë që për mirëmbajtjen e rrugëve shpenzohen rreth 55 milionë euro.
Deklarata e plotë:
Kanë kaluar gati dy javë që nga depozitimi në Kuvend i projektligjit të Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë për uljen e çmimit të karburanteve dhe deri tani nuk ka asnjë reflektim nga Edi Rama dhe mazhoranca rilindase, të marrë peng edhe nga oligarkët e babëzitur të naftës.
Kjo heshtje është e pajustifikueshme përballë një problemi real që prek drejtpërdrejt çdo familje shqiptare dhe çdo biznes në vend, veçanërisht në kushtet e përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme, që pritet të sjellë pasoja direkte edhe në rritjen e çmimit të karburanteve në vendin tonë.
Sot çmimi i naftës në Shqipëri ka arritur rreth 200 lekë për litër, ndërkohë që mbi 60% e këtij çmimi janë taksa që shkojnë drejtpërdrejt në buxhetin e shtetit.
Partia e Lirisë beson se e vetmja politikë reale, e vërtetë dhe që ndihet në xhepin e qytetarit, që po aplikohet nga shtete edhe të Europës Perëndimore, por edhe në vendet e rajonit, është ulja e taksave.
Kurrë nuk mund të pranohet si normalitet fakti që ndërsa qytetarët varfërohen dhe bizneset rëndohen nga kostot abusive e të tejfryra të karburanteve, qeveria përfiton më shumë të ardhura, që kurrë nuk shkojnë në destinacionin e përcaktuar, por që mbushin veç xhepat personalë të Edi Ramës dhe kusarëve të tij.
Për më tepër që njerëzit më të pasur të botës, vijnë në Shqipëri të furnizojnë jahtet e tyre me karburant pa taksa, shqiptarët rëndohen nga e njëjta Qeveri me taksa abuzive për çdo litër karburant.
Absurdin e thellon edhe fakti se qytetarët shqiptarë paguajnë 27 lekë për litër taksë qarkullimi, e cila me TVSH shkon në rreth 32 lekë për litër. Në të njëjtën kohë, shqiptarët paguajnë dy herë për rrugët: një herë përmes taksës së regjistrimit dhe kolaudimit të automjeteve, rreth 70 mijë lekë në vit, dhe sërish përmes taksës së qarkullimit në çdo litër karburanti. Nga kjo taksë qeveria mbledh rreth 300 milionë euro në vit, ndërkohë që për mirëmbajtjen reale të rrugëve shpenzon vetëm rreth 55 milionë euro.
Pa harruar faktin se cila është sot gjendja e rrugëve në të katër anët e vendit dhe kur ende situata e qarkullimit të automjeteve drejt Jug-Lindjes nuk është stabilizuar për shkak të shembjes së rrugës Librazhd-Prrenjas.
Situata bëhet edhe më e padrejtë kur e krahasojmë Shqipërinë me vendet e rajonit.
Sot qytetarët shqiptarë paguajnë rreth 1.83 euro për litër naftë, ndërsa në Maqedoninë e Veriut çmimi është rreth 1.27 euro për litër. Pra, diferenca është mbi 50 cent për litër, një diferencë e madhe për çdo familje dhe për çdo biznes.
Ironia më e madhe është se Shqipëria ka pagat më të ulëta dhe fuqinë blerëse më të dobët në rajon, por një nga çmimet më të larta të karburanteve. Kjo nuk është rastësi, por rezultat i një politike fiskale kriminale që ka zgjedhur të rëndojë qytetarët më të varfër të kontinetit me taksa të larta mbi karburantin.
Rritja e çmimit të naftës reflektohet menjëherë në rritjen e çmimit të çdo produkti bazë ushqimor: bukës, miellit, makaronave, vajit, transportit dhe çdo shërbimi tjetër. Prandaj çmimi i karburanteve është sot një nga faktorët kryesorë që ka rritur në mënyrë abuzive dhe të pamerituar koston e jetesës për çdo familje shqiptare.
Pikërisht për këtë arsye Partia e Lirisë ka depozituar në Kuvend projektligjin për pezullimin e Taksës së Qarkullimit dhe Taksës së Karbonit, një masë konkrete që do të sillte ulje të menjëhershme të çmimit të karburanteve dhe lehtësim real për qytetarët dhe bizneset.
Kjo nismë është sot gur prove për Qeverinë dhe për çdo deputet, majtas ose djathtas, ose do të mbrojnë interesin e familjeve shqiptare dhe bizneseve të ndershme, ose do të vazhdojnë të mbrojnë interesat okulte me oligarkët e babëzitur të naftës dhe një sistem taksash që varfëron qytetarët.
Burimi: botasot.info


