Kosova po hynë në muajin e shtatë të krizës politike që nga mbajtja e zgjedhjeve të fundit parlamentare më 9 shkurt.
Partitë politike duke mos arritur në një marrëveshje të përbashkët, nuk po arrijën të nxjerrin vendin nga kriza. Dimal Basha është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Kosovës, si dhe disa nënkryetarë tashmë janë zgjedhur. Por, mos zgjedhja ende e nënkryetarit nga minoriteti serb, po e pamundëson konstituimin e plotë.
Si mundësi për të dalë nga kjo gjendje, po përmenden zgjedhjet e reja parlamentare. Ndonëse Kosova është në prag të zgjedhjeve lokale, kur kanë mbetur pak më tepër se një muaj për tu mbajtur këto zgjedhje me 12 tetor, ende nuk dihet nëse do të ketë dy palë zgjedhje.
Partitë politike kanë filluar përgatitjet për këto zgjedhje, ndërsa për të bërë një zgjidhje për situatën politike, sikur nuk po shqetësohen.
Por a po zvarritet qëllimisht kjo gjendje për të shkuar në zgjedhje të reja?
Njohësi i ҫështjeve politike, Agron Hoti në një prononcim për ‘Bota sot’, ka komentuar situatën aktuale, duke thënë se partia fituese, ashtu sikurse edhe partitë tjera, nuk po duan ta konstituojnë Kuvendin, sepse askush nuk i ka votat për ta formuar qeverinë.
“Duke qenë në gjendje të tillë, gara sot po zhvillohet se kush kë po e fajëson më shumë dhe kush po shfajësohet më shumë nga kjo bllokadë që ka paralizuar vendin, me shpresën që të fitohet sa më shumë elektorat kurdo që do të mbaheshin zgjedhjet. Pavarësisht që të gjitha rrugët po çojnë në zgjedhje, secili po mundohet që të mos e marrë barrën e fajit për shkuarje në zgjedhje”, vlerëson Hoti.

SIpas tij, partisë fituese, është e vetëdijshme që i ka thënë „po“ themelimit të Samoupravnicës (autonomisë) për serbët e veriut, po i konvenon që së paku mos ta marrë pushtetin derisa të përfundojnë zgjedhjet lokale, ku partitë serbe në veri, me mbështetje perëndimore me shumë gjasë do ta themelojnë Samoupravnicën, e për cilin akt partia fituese do të mund të shfajësohej para qytetarëve me arsyetimin se „është Perëndimi ai që e themeloi Samoupravnicën, përndryshe ne asnjëherë nuk do ta bënim.“
“Por, edhe partitë jofituese, të vetëdijshme që i kanë thënë „po“ themelimit të Samoupravnicës dhe të përballura me pamundësinë e numrave për ta formuar qeverinë, janë të interesuara që të presin derisa të përfundojnë zgjedhjet lokale, për t’i ikur, kështu, përgjegjësisë për themelimin e Samoupravnicës. Pra, si partia fituese ashtu edhe ato jo fituese nuk po duan të marrin përgjegjësi derisa të përfundojnë zgjedhjet lokale nga frika se do t’u duhet që sapo ta marrin pushtetin ta themelojnë Samopravnicën dhe kjo mund t’u humbasë vota. Prandaj. Bllokada po u konvenon të gjithëve, ndërkohë që vendi është paralizuar dhe po përballet me shpopullim të frikshëm”, thotë analisti për ‘Bota sot’.
Burimi: botasot.info


