Pas katër edicionesh që sollën histori të ndryshme, debate të forta dhe personazhe që vazhduan të komentohen edhe pas përfundimit të spektaklit, Big Brother VIP Kosova po bëhet gati të rikthehet me sezonin e pestë.
Nisja e edicionit të ri pritet të bëhet më 30 tetor, ndërsa ditët e fundit vëmendja e publikut është përqendruar te emrat që mund të hyjnë në shtëpi, ndryshimet e mundshme në format dhe surprizat që mund të rezervojë nata e parë.
Që nga edicioni i parë, BBVK është shndërruar në një prej formateve më të komentuara të showbiz-it shqiptar, duke i vendosur personazhet e njohura përballë një eksperience të pazakontë, ku bashkëjetesa, marrëdhëniet, debatet dhe votat e publikut përcaktojnë rrugëtimin e tyre.
Fituesit e sezoneve të kaluara kanë qenë emra nga fusha të ndryshme, duke treguar se në këtë garë nuk mjafton vetëm fama, por rëndësi kanë edhe mënyra se si konkurrentët ndërtojnë raportet me banorët e tjerë dhe lidhjen me publikun.
Në edicionin e parë, fitues u shpall reperi Arkimed Lushaj, i njohur si Stresi.
Në sezonin e dytë, çmimin e madh e fitoi Lumbardh Salihu, teksa edicioni i tretë përfundoi me fitoren e boksierit Drilon Rama.
Ndërkaq, në sezonin e katërt, i cili përfundoi në shkurt të vitit 2026, fitues u shpall Londrim Mekaj.
Katër edicione, katër fitues me profile të ndryshme dhe një histori që tani pret kapitullin e radhës.
Por, si zakonisht, para se të hapen dyert e shtëpisë, një pjesë e madhe e kuriozitetit lidhet me identitetin e banorëve.
Ditët e fundit, në disa media është raportuar për një listë me 22 emra konkurrentësh.
Në mesin e personazheve që përfliten janë reperi Fero, këngëtarja Vjollca Haxhiu, Ensar Elshani – Fuego, Arlinda Morina – Liki, Nora Tushi, Valdet Haziri, Edita Abazi, Fatjone Krasniqi, Rron Isufi, Olga Grigoreva, Adrian Karanderi, Dion Mala, Klejda Mugaj, Sharr Braina, Antoneta Kuçi, Bejta, Fatlum Dreshaj, Bleon Krasniqi, Shqiponja Mustafaj, Nichi, Anjeza Gubetini dhe Behare Maksutaj.
Megjithatë, kjo mbetet një listë emrash të përfolur dhe jo një kast i konfirmuar nga produksioni.
Një prej emrave që ka tërhequr vëmendje të veçantë është Fero.
Mundësia që reperi të bëhet pjesë e këtij edicioni është diskutuar në media dhe rrjete sociale.
Edhe pse mbetet të shihet nëse Fero do të jetë vërtet një nga personazhet që do të kalojnë pragun e shtëpisë.
Përveç banorëve, pikëpyetje ka edhe për mënyrën se si do të prezantohet spektakli këtë sezon.
Në promo-n e ndarë në Instagram, Alaudin Hamiti shihet i vetëm dhe besohet se do të jetë kështu në këtë edicion, pas largimit të Jonida Vokshit.
Sa i përket opinionistëve, njëri prej tyre besohet të jetë Resul Sinani, gjersa tjetri nuk është aluduar.
Nëse konfirmohen ndryshime në prezantim dhe në panel, ato mund t’i japin sezonit të ri një dinamikë tjetër.
Një tjetër risi që po përmendet është mundësia që më shumë se 20 banorë të hyjnë në shtëpi që në natën e parë.
Një numër i madh konkurrentësh do të nënkuptonte edhe më shumë histori që duhet të zhvillohen paralelisht, por mbetet të shihet se si do të organizohet.
Ajo që e bën çdo edicion të BBVK-së të paparashikueshëm është fakti se emrat më të përfolur para nisjes nuk janë domosdoshmërisht ata që dominojnë lojën, ndonëse personazhe që fillimisht njihen më pak mund të bëhen ndër më të komentuarit.
Edhe këtë herë, publiku pret të shohë se kush do të krijojë miqësi, kush do të përfshihet në debate dhe cili banor do të arrijë ta fitojë mbështetjen e shikuesve.
Tashmë, me 30 tetorin gjithnjë e më afër, BBVK 5 po hyn në fazën e fundit të pritjes.
Emrat që qarkullojnë, mundësia e hyrjes së një numri të madh konkurrentësh dhe pikëpyetjet për drejtimin e spektaklit kanë krijuar interes para nisjes, por përgjigjet përfundimtare do të vijnë vetëm kur produksioni të zbulojë zyrtarisht banorët dhe risitë e sezonit.
Deri atëherë, mbetet të shihet nëse edicioni i pestë do të sjellë një tjetër fitues të papritur dhe personazhe që do të vazhdojnë të jenë pjesë e diskutimeve të publikut edhe pas mbylljes së formatit.
Burimi: botasot.info


