Kandidatja për kryetare të Komunës së Prishtinës nga radhët e Partisë Socialdemokrate, Besa Shahini sot zhvilloi një aktivitet ku shpalosi një pikë nga programi i saj për Prishtinën, raporton KosovaPress.
Ajo tha se nëse zgjidhet kryetare e Prishtinës do të mbjellë 100 mijë pemë të reja në kryeqytet, duke theksuar rëndësinë e tyre për të bërë Prishtinën një qytet më të shëndetshëm.
Sipas saj, se metrat katrorë me gjelbërim për kokë banori janë nën mesataren që i duhet një qyteti për tu konsideruar i shëndetshëm.
Shahini: T’i japim Prishtinës një shans për të qenë qytet më i shëndetshëm
“Statistikat i dini, në Prishtinë më pak se 3 metra katrorë hapësirë të gjelbërt ka për kokë banori, që është më pak se një e treta e mesatares së nevojshme për një qytet të shëndetshëm. Që të arrijmë këta metra katrorë të nevojshme duhet të mbillen së paku 100.000 pemë të reja në Prishtinë, e ky është plani ynë. Ku do të mbillen këto, në të gjitha hapësirat që është e mundshme. Këtu në Ulpianë, në Dardani, në kampusin universitar, në konvikte, përgjatë trotuareve, nëpër oborre të shkollave, pra, kudo që është e mundur të mbillen pemë në mënyrë që të krijohet hije dhe të ulen temperaturat gjatë verës, të pastrohet ajri dhe ti japim Prishtinës një shans për të qenë qytet më i shëndetshëm. Nuk përfundon gjithçka me mbjelljen e pemëve sepse problemi kryesor në Prishtinë është pastaj kujdesi për to dhe sidomos ujitja. Janë diku rreth 50 puse që janë të hapura në Prishtinë pikërisht për ujitjen e hapësirave publike, një prej tyre është këtu, por nuk punon sikur edhe shumica e tyre që janë hapur të cilat duhet të rigjenerohen dhe duhet edhe të hapen edhe 50 tjera në mënyrë që të ketë ujë të mjaftueshëm për të gjitha lagjet ku do i mbjellim pemët.”, tha ajo
Përveç mbjelljes, Shahini nënvizoi edhe rëndësinë e mirëmbajtjes së tyre, duke thënë se puna nuk mbaron vetëm në mbjellje, por duke mundësuar që ato pemë të rriten.
Për të arritur një gjë të tillë, Shahini tregoi edhe planin për mirëmbajtjen e këtyre pemëve, duke premtuar edhe ndërtimin e 50 puseve që do të mundësojnë që ujitja e pemëve të mos bëhet vetë.
Për këtë arsye ajo tha se çdo lagje në Prishtinë do të ketë “mjeshtrin e lagjes” dhe një ekip nga kompania e gjelbërt, që do të mundësojnë restaurimin e lagjeve dhe mirëmbajtjen e pemëve të mbjella.
Shahini: Mjeshtri i lagjes gjithmonë do të ketë edhe një ekip nga kompania e gjelbërt që janë permanent nëpër lagje
“Nëse ju kujtohet ne e prezantuam mjeshtrin e lagjes si zgjidhja jonë për rigjenerimin e lagjeve. Mjeshtri i lagjes gjithmonë do të ketë edhe një ekip nga kompania e gjelbër që janë permanent nëpër lagje që do të kujdesen pastaj për pemët e mbjella. Kujdesen për ujitje, nëse ka nevojë për të hedhur pleh, për çfarëdo mirëmbajtje tjetër, që ti japin shans, sidomos vitet e para pas mbledhjes së pemës që pema të mbillet dhe të krijojë stabilitetin e vet dhe të rritet.”, tha ajo.
Zgjedhjet lokale do të mbahen me 12 tetor ku qytetarët e Kosovës do të zgjedhin kryetarët e komunave të tyre dhe kuvendin komunal.
Burimi: botasot.info


