Kryedemokrati Sali Berisha ka reaguar ndaj thirrjeve antishqiptare në ndeshjen e basketbollit dy ditë më parë në Kumanovë të Maqedonisë së Veriut.
Gjatë ndeshjes, tifozët maqedonas në tribuna filluan në kore antishqiptare dhe raciste, në prani edhe të kryeministrit Hristo Mickoski. Berisha dënon me forcën më të madhe këto akte, duke i quajtur nacionalizëm primitiv.
Nga ana tjetër, vlerëson qëndrimet e forcave politike shqiptare atje dhe të autoriteteve shtetërore të Maqedonisë së Veriut.
Reagimi i Berishës:
Thirrjet antishqiptare në Kumanovë, një akt nacionalizmi primitiv.
Partia Demokratike dënon me forcën më të madhe thirrjet barbare primitive antishqiptare në Kumanovë si dëshmi e racizmit dhe nacionalizmit primitiv kundër etnisë shqiptare në shekuj e mijëvjeçarë në trojet e veta, por edhe kundër vetë rendit kushtetues të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Partia Demokratike, duke dënuar me forcën më të madhe këto akte, vlerëson dhe mbështet qëndrimin e forcave politike shqiptare dhe autoriteteve shtetërore të Maqedonisë së Veriut ndaj tyre.
Burimi: botasot.info


