Sesioni i ri parlamentar në Kuvendin e Shqipërisë u shoqërua me tensione dhe përplasje të forta politike, pasi kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, së bashku me deputetët e opozitës, bllokuan foltoren e Kuvendit.
Shkak për këtë është bërë pjesëmarrja e numrit dy të qeverisë, Belinda Balluku, e cila ishte e pranishme në sallë.
Gjatë fjalës së tij në videolive, Berisha akuzoi mazhorancën dhe qeverinë Rama për kapje të institucioneve dhe lidhje me krimin e organizuar, duke iu drejtuar:
“Të gjithë jeni Lubia! Ngrihuni në këmbë dhe thërrisni: Jemi Lubi! Partia në pushtet, partia e krimit, po përballet me testin më serioz të shtetit të së drejtës”, u shpreh Berisha.
Kryetari i PD iu referua drejtpërdrejt zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, duke deklaruar:
“Zv/kryeministrja Balluku është në Kongresin e SHBA-ve dhe ju jeni Ballukë të gjithë. Asaj dhe kryeministrit Edi Rama potencialisht nuk po u hiqni imunitetin”. Sipas Berishës, qëndrimi i mazhorancës përbën mbrojtje politike dhe cenon parimet e shtetit të së drejtës.
Opozita ka këmbëngulur prej ditësh në mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve, me qëllim hapjen e procedurave për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut.
Sipas opozitës, kërkesa lidhet me hetimet e SPAK për çështjen e Tunelit të Llogarasë dhe disa lote të projektit të Unazës së Madhe në Tiranë, për të cilat Balluku është marrë e pandehur.
Burimi: botasot.info


