Modelja e njohur Bella Hadid ka prekur ndjekësit me një rrëfim emocional në rrjetet sociale, ku zbuloi se po kalon një periudhë të vështirë për shkak të përkeqësimit të sëmundjes Lyme. Krahas një fotografie ku shfaqet duke qarë, modelja tregoi se gjendja e saj fizike është rënduar dhe se ende nuk ka gjetur një trajtim që t’i sjellë përmirësim.
Në mesazhin e saj, Hadid u shpreh se lodhja është bërë pjesë e përditshmërisë dhe se, pavarësisht orëve të gjata të gjumit, vazhdon të ndihet pa energji.
“Kam fjetur 11 orë dhe përsëri fle gjatë ditës. Kam provuar çdo trajtim dhe çdo protokoll që më kanë sugjeruar mjekët, por ende asgjë nuk po më ndihmon”, shkroi ajo.
Modelja tregoi se edhe veprimet më të zakonshme janë kthyer në sfidë, duke rrëfyer se i mungon fryma edhe gjatë lëvizjeve të shkurtra brenda shtëpisë.
“Po, kam pirë ujë. Dhe jo, nuk dola për shëtitje, sepse më merrej fryma edhe vetëm duke ecur deri në kuzhinë”, tha ajo.

Bella Hadid nuk e fshehu as ndikimin emocional që kjo gjendje ka pasur tek ajo, duke përdorur edhe një notë ironie për të përshkruar lodhjen mendore.
“Nuk besoj se kam qoftë edhe një qelizë të vetme të trurit që po funksionon, dhe dy të fundit po grinden me njëra-tjetrën”, shkroi modelja.
Postimi u përhap me shpejtësi dhe u shoqërua me mijëra komente mbështetëse nga fansat, të cilët i uruan forcë dhe shërim.
Një ditë më vonë, Hadid publikoi një tjetër mesazh për të qetësuar ndjekësit, duke sqaruar se postimi nuk kishte për qëllim të alarmonte askënd, por ishte një mënyrë për të shprehur emocionet dhe vështirësitë që po përjeton në këtë periudhë.
Burimi: botasot.info


