Deputeti i VLEN-it, Bekim Qoku, ka deklaruar se ndryshimet në Kodin Zgjedhor duhet të fokusohen në zgjerimin e pjesëmarrjes demokratike dhe krijimin e mundësive që diaspora të ushtrojë më lehtë të drejtën e votës.
Qoku tha se debati për reformën zgjedhore nuk duhet të zhvillohet rreth frikës nga vota e diasporës, por rreth mënyrës se si procesi zgjedhor mund të bëhet më demokratik dhe më gjithëpërfshirës.
“Siç e dini, ndryshimet në Kodin zgjedhor kanë hapur debat në opinion. Fatkeqësisht, një pjesë e këtij debati po zhvillohet rreth frikës nga vota e diasporës, në vend që të fokusohet te ajo që është thelbësore, si ta bëjmë procesin zgjedhor më demokratik e më inkluziv.
Për VLEN-in, ky është një nga proceset më të rëndësishme në kuadër të Agjendës reformuese dhe afrimit të vendit me standardet evropiane.
Që në takimin e liderëve, ne kërkuam që ky proces të mos kufizohet vetëm në çështje teknike, por të trajtojë edhe tema që e zgjerojnë pjesëmarrjen demokratike. Një prej tyre është krijimi i mundësive që qytetarët tanë në diasporë ta ushtrojnë më lehtë të drejtën e votës.
Për ne, është me rëndësi që diaspora të ketë mundësi të votojë, qoftë përmes votimit elektronik, qoftë përmes formave të tjera të sigurta, transparente dhe të besueshme, në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Diaspora jonë nuk është vetëm për remitenca. Ajo nuk mund të kujtohet vetëm kur dërgon para, kur investon në vendlindje apo kur ndihmon ekonominë e shtetit. Ajo është pjesë e pandashme e shoqërisë sonë dhe doemos duhet të ketë mundësi të jetë pjesë edhe e vendimmarrjes.
Prandaj, nuk besojmë se bllokadat me mijëra amendamente i shërbejnë këtij procesi. Qytetarët presin zgjidhje, jo pengesa. Presin dialog dhe reforma që e përmirësojnë sistemin, e jo taktika që e mbajnë atë peng.
Ndryshimet në Kodin zgjedhor duhet të ndërtohen mbi rekomandimet e ODIHR-it të OSBE-së dhe mbi obligimet që burojnë nga Agjenda reformuese.
Ne mbështesim çdo zgjidhje që e bën procesin zgjedhor të hapur dhe inkluziv. Reformat nuk bëhen për interesat e partive politike, por për qytetarët dhe për të ardhmen evropiane të vendit.
Andaj, mesazhi ynë tani e gjithmonë është i njëjtë. Diaspora nuk është vetëm për remitenca, por duhet të jetë pjesë e vendimmarrjes. Këtë e kemi kërkuar që në takimin e liderëve dhe këtë do ta mbrojmë gjatë gjithë procesit për ndryshimet në Kodin zgjedhor”, deklaroi Qoku.
Burimi: alfax.mk


