Kandidati i VLEN-it për Komunën e Gostivarit, Nevzat Bejta, në një konferencë për shtyp prezantoi prioritetet dhe projektet që, sipas tij, do të realizohen pas 11 janarit, duke premtuar rikthimin e ritmit të punës dhe zhvillimit të qytetit.
“Të nderuar qytetarë, ju mirë i dini projektet që janë realizuar gjatë udhëheqjes sime me Komunën e Gostivarit, mirëpo tash është koha që ai ritëm pune të rikthehet sërish pas 11 janarit,” deklaroi Bejta.
Ai theksoi se një nga projektet kryesore infrastrukturore është hapja e bulevardit nga Rruga e Dibrës deri te Gjykata Themelore, ku parashihet ndërtimi i urës së dytë mbi lumin Vardar me katër korsi. “Ky projekt do ta lirojë ndjeshëm komunikacionin brenda qytetit,” u shpreh ai.
Bejta paralajmëroi edhe ndërtimin e rrugës Forinë–Gostivar, e cila do të lidhë vendbanimet Çegran, Forinë dhe Çajlë. Sipas tij, “edhe kjo rrugë do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në lehtësimin e qarkullimit dhe zhvillimin e zonave përreth”.
Në fushën e mjedisit dhe pastërtisë, kandidati i VLEN-it tha se do të ketë fokus të veçantë në ruajtjen e hapësirave të gjelbra. “Është paraparë vendosja e kontejnerëve nëntokësorë, për një qytet më të pastër dhe më funksional,” deklaroi Bejta.
Ai premtoi gjithashtu depolitizimin e arsimit. “Arsimi do të depolitizohet, duke krijuar kushte për arsim më cilësor, me shkolla dhe çerdhe të rregulluara bukur dhe me kushte super moderne,” theksoi ai.
Sipas Bejtës, zhvillimi ekonomik dhe ulja e papunësisë do të arrihen përmes përkrahjes së drejtpërdrejtë të bizneseve vendore. “Do të zhvillohet ekonomia lokale dhe do të ulet papunësia, sepse bizneset do të kenë mbështetjen e nevojshme,” tha ai.
Një vëmendje e veçantë, sipas kandidatit, do t’i kushtohet rinisë. “Do t’i japim hapësirë të madhe rinisë, duke e fuqizuar përmes kulturës dhe sportit,” u shpreh Bejta.
Në fund, ai premtoi përmirësim rrënjësor të infrastrukturës rrugore. “Nuk do të ketë më rrugë të shkatërruara dhe as rrugë me gropa, sepse në këtë mandat do të qeveris bashkë me qytetarët. Çdo projekt do të përpilohet dhe do të realizohet sipas kërkesës së tyre,” përfundoi Bejta.


