Eksperti i sigurisë, Fatjon Softa, në emisionin “War Report” në ABC News vuri në pah dobësitë e Bashkimit Evropian në menaxhimin dhe reagimin ndaj fluturimeve të dronëve, veçanërisht në Poloni dhe zona të tjera të NATO-s.
Ai theksoi se Ukraina, pas viteve të përvojës në konflikt dhe përdorimit të dronëve, ka arritur të zhvillojë teknika efektive mbrojtjeje, duke krijuar korridore mbulimi për rrugët e transportit, të cilat kanë zvogëluar dëmet nga goditjet e Rusisë.
Softa nënvizoi gjithashtu rëndësinë e mbështetjes financiare nga BE-ja për Ukrainën, si një investim të domosdoshëm për mbijetesën e vendit në luftë.
“BE tregoi një lloj dobësie nga mënyra se si duhet të reagonin në fluturimet e dronëve kryesisht në Poloni, por edhe në zona të tjera, ku sipas pretendimeve kanë hyrë në territorin e NATO-s. E dyta Ukraina ka një lloj eksperience sepse u bënë disa vite që lufton në terren dhe sigurisht që ka mësuar në drejtim të droneve dhe është kthyer në një prodhues të dronëve. Sigurisht që kjo eksperiencë në luftë është e vlefshme.
Ata kanë krijuar korridore mbulimi për disa rrugë në mënyrë që të mos goditen rrugët e transportit nga dronët, të cilat ishin me rrjeta dhe mjaft problematike sa herë që ato bënin lëvizje. Goditjet me dron nga Rusia i dëmtoi shumë dhe kjo mbrojtje pati efektin pozitiv. Është një eksperiencë e cila mund t’i mësojë BE-së, e cila është një organizatë, ku vendet më të zhvilluara në botë janë aty. Janë vende të cilët janë lider jo vetëm në industrinë e luftës, por edhe në çështjet ekonomike.
Nëse s’do të ishte ai fond i dhënë nga BE, si do të mbijetonte Ukraina?! Sepse është investim që vjen edhe nga sakrifica që bëjnë qytetarët e BE-së, por edhe të qytetarëve shqiptarë”, tha eksperti Fatjon Softa.
Burimi: botasot.info


