2
Shkup, 29 qershor – Edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që shpalli antikushtetuese ndarjen e popullsisë në “rezidentë” dhe “jorezidentë” në regjistrimin e vitit 2021, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) vazhdon të mos japë asnjë përgjigje për rolin e saj në përjashtimin e mërgatës shqiptare nga të dhënat zyrtare.
Koalicioni opozitar VLEN ka reaguar ashpër, duke kërkuar përgjegjësi penale për të gjithë zyrtarët që, siç thuhet në deklaratën e tyre, “pa asnjë bazë ligjore shpikën kategorinë e banorëve jorezidentë”, me qëllim për të ulur peshën reale të shqiptarëve në përqindjen demografike të vendit.
VLEN thekson se nuk është diskutuar asnjë ide për regjistrim të ri të popullsisë para afatit të rregullt, por insiston se regjistrimi i ardhshëm do të korrigjojë “mashtrimin politik të orkestruar nga BDI dhe LSDM”. Sipas tyre, regjistrimi i ardhshëm duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe i pranuar nga të gjitha palët politike, duke reflektuar realitetin dhe kontributin e mërgatës shqiptare.
“Tradhtia që BDI i bëri mërgatës sonë nuk do të harrohet. Ajo është një njollë e zezë në ndërgjegjen politike të kësaj partie. Por tani më, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, është kthyer dinjiteti i çdo shqiptari,” thuhet në deklaratën e VLEN-it.
Koalicioni opozitar nënvizon se mërgata shqiptare është një nga shtyllat kryesore të mbijetesës ekonomike, sociale dhe kombëtare të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe nuk mund të trajtohet si kategori e përkohshme apo e padukshme.
“VLEN do të qëndrojë gjithmonë në mbrojtje të së drejtës dhe të mërgatës, e cila ka kontribuar ndër vite për zhvillimin e këtij vendi. Ky është një hap drejt vendosjes së drejtësisë dhe respektimit të identitetit të plotë të shqiptarëve,” përfundon reagimi.
Për momentin, BDI nuk ka komentuar lidhur me akuzat dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Burimi: zhurnal.mk