Ekonomia në Ballkanin Perëndimor, në vitin 2026 rritja pritet të përshpejtohet në 3.1% nga 2.6% në vitin 2025, sipas raportit të Bankës Botërore “Përditësimi Ekonomik për Evropën dhe Azinë Qendrore: Vënia e Inteligjencës Artificiale në Funksion të Punësimit, Ndërmarrjeve dhe Produktivitetit”, të publikuar sot.
Përballë çmimeve më të larta të energjisë, pasigurisë së shtuar dhe zgjerimit më të dobët ekonomik të partnerëve tregtarë, rritja ekonomike në Evropë dhe në Azinë Qendrore pritet të ngadalësohet në 2.2% në vitin 2026 nga 2.6% në vitin 2025.
Ndërkohë që në Evropën Qendrore spikat Polonia me një rritje të qëndrueshme në vlerën 3.6%. Rritja ekonomike e Ukrainës pritet të ngadalësohet në 1.2%, si pasojë e përshkallëzimit të dëmeve ndaj infrastrukturës kritike dhe ndërprerjeve në aktivitetin eksportues.
Ky ngadalësim ndjehet në të gjithë rajonin, duke pasqyruar dobësinë ekonomike në shumicën e këtyre vendeve. Me përjashtim të Rusisë, e cila përfaqëson rreth 40% të prodhimit ekonomik të rajonit, në vitin 2026 ritmi i rritjes pritet të ulet në 3% nga 3.7% në vitin 2025. Çrregullimet në tregjet globale të mallrave bazë kanë ushtruar një ndikim më të kufizuar nga sa pritej fillimisht.
“Ekonomitë në zhvillim të rajonit vazhdojnë të shfaqin aftësi ripërtëritëse falë uljes së intensitetit energjetik, forcimit të politikave qeveritare dhe kërkesës së fuqishme të brendshme. Për të rritur produktivitetin dhe për të kontribuar në kompensimin e tkurrjes së popullsisë në moshë pune, vendet e rajonit mund të shfrytëzojnë potencialin e inteligjencës artificiale përmes forcimit të aftësive bazë arsimore dhe menaxheriale, ndërsa përgatisin institucionet e tregut të punës dhe ato të mbrojtjes sociale për t’iu përshtatur këtij transformimi të thellë”, tha Antonella Bassani, zëvendëspresidente e Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore
Rritja e çmimeve të energjisë e ka mbajtur inflacionin në nivele të larta, ndërsa dobësimi i ritmit të rritjes në Bashkimin Evropian dhe konkurrenca gjithnjë e më e fortë nga vendet e tjera po ndikojnë tek eksportet dhe aktiviteti industrial, veçanërisht në zinxhirët e furnizimit të industrisë automobilistike në rajon.
Ndërprerjet e mëtejshme të shkëmbimeve tregtare, vazhdimi i konfliktit në Ukrainë, rritja e mëtejshme e kostove të energjisë, transportit dhe plehrave kimike, shtrëngimi i kushteve globale të financimit, dobësimi i rritjes ekonomike te partnerët kryesorë tregtarë dhe fenomenet ekstreme klimatike vijojnë të mbeten ndër rreziqet kryesore.
Raporti, në analizën e tij të posaçme mbi inteligjencën artificiale, vlerëson se përhapja e kësaj teknologjie në rajon po ndodh me një ritëm më të shpejtë sesa aftësia aktuale e ekonomive për ta absorbuar atë.
Aktualisht inteligjenca artificiale përdoret nga më pak se një në dhjetë ndërmarrje, kryesisht për detyra bazike. Megjithatë, raporti vëren se përvetësimi i IA-së pengohet nga mungesa e aftësive bazë arsimore dhe menaxheriale, mungesa e të dhënave të integruara dhe ndërvepruese, dhe kapaciteteve për përpunimin kompjuterik.
Burimi: botasot.info


