Dështoi përpjekja e Ministrisë së Punëve të Brendshme për kapjen e Musa Xhavitit, të dyshuarit për vrasjen e oficerit të ARM-së Agim Muharremit muaj më parë në Batincë të Shkupit. Në mbrëmjen e 8 janarit, policia ka bastisur objekte në Batincë me qëllim privimin e tij nga liria, pasi paraprakisht kishin marrë informacione të caktuara mbi këtë person.
“Pas informatave të marra paraprakisht, zyrtarë policorë pranë MPB-së gjatë ditës së djeshme (18.01.2026) kanë vepruar në rajonin e Shkupit me qëllim privimin nga liria, për të cilin është shpallur fletëarrest kombëtar dhe ndërkombëtar për vepra të rënda penale. Vazhdojnë aktivitetet në terren me qëllim gjetjen dhe privimin nga liria të personit me interes të lartë”, deklaroi Goce Andreevski – Zëdhënës i MPB-së.
Megjithatë siç edhe konfirmuan nga MPB, Musa Xhaviti nuk është gjetur dhe vazhdon të mbetet në arrati. Xhaviti më 11 korrik të vitit të kaluar, me dy plumba në gjoks la të vdekur 49 vjeçarin Agim Muharremin, për arsyen e vetme se i njëjti kishte refuzuar krushqinë me të. Viktima dhe vajza e tij gjatë ditës kishin qenë për kontroll mjekësor dhe derisa po ktheheshin në shtëpi, dorasi fillimisht e kishte kërcënuar në telefon e më pas ua kishte prerë rrugën, duke dalë nga vetura dhe e duke kryer aktin.
Megjithatë, Musa Xhavit i pa kapshëm për organet e rendit është tanimë një vit e gjysmë pasi i njëjti kishte kryer vrasje edhe në korrik të vitit 2024 gjithashtu në Batincë kur me kallashnikov la të vdekur 34 vjeçarin Abdyl Ibraimin. Vrasja atëkohë ishte për arsye hakmarrjeje. Musa Xhavit kishte vuajtur burg për armëmbajtje pa leje. Pas daljes nga burgu, sipas informacioneve që ka plasuar policia ai u kyç në rrjetin e grupeve kriminale që viteve të fundit ishin cak i hakmarrjeve dhe vrasjeve spektakulare në Shkup dhe jo vetëm. /Alsat.mk


