Pasi Prokuroria përfundoi me dëshmitarët e saj, në Gjykatën Speciale ka nisur faza e dytë e gjykimit të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ku tani radhën e kanë dëshmitarët e mbrojtjes.
Tre prej dëshmitarëve kryesorë që janë dëgjuar deri më tani janë: James Rubin, John Stewart Duncan dhe James Covey.
Të tre, pra Rubin, Stewart dhe Covey, gjatë dëshmisë së tyre kanë tentuar të heqin çdo përgjegjësi që Thaçi kishte mbi UÇK-në. Sipas tyre, Hashim Thaçi nuk ishte komandant i përgjithshëm i UÇK-së dhe se nuk kishte asnjë kontroll mbi UÇK-në, ndryshe nga ajo që ka proklamuar Thaçi tash e 25 vite që nga përfundimi i luftës.
E lidhur me gjithë këtë, për gazetën “Bota sot” ka folur Sefedin Krasniqi, njëri nga bashkëpunëtorët e ngushtë të kolonel Ahmet Krasniqit, i vrarë në Tiranë nga dora kriminale.
“Grupi i ish-krerëve të UÇK-së, i cilësuar si NPK, i përbërë nga Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, është duke u gjykuar në Dhomat e Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Pasi akuza është e rëndë, qëllimi i dëshmitarëve dhe i mbrojtjes për ta zhveshur Thaçin nga përgjegjësi kryesor i UÇK-së, të cilin rol, për më shumë se dy dekada, e ka thënë me gojën e vet, nuk është gjë tjetër vetëm një tentim i kotë për ta shfajësuar nga ajo që thuhet në aktakuzë”, thotë Krasniqi.

“Megjithatë, mbetet të shihet se a janë arrestuar fajtorët e vërtetë për vrasjet politike të shqiptarëve. Do të vërtetohet kur të merret vendimi i gjykatës. Qëllimi kryesor i dëshmitarëve, sidomos i James Rubin, në mbrojtjen e Thaçit duke e shfajësuar, është edhe shfajsim, në një mënyrë, edhe i vetëvetes, sepse nëse Thaçi dhe të tjerët, por sidomos Thaçi, shpallen fajtorë, kjo indirekt do të cilësohet se dëshmitarët e sotëm, diplomatët e atëhershëm, paskan bashkëpunuar me kriminelë”, shton Krasniqi.
Më tej, Krasniqi thotë se në Speciale nuk po gjykohet lufta çlirimtare e UÇK-së, por individët të cilët dyshohen për krime.
“Nga ana tjetër, sa herë që dikush nga shqiptarët ka guxuar të thotë apo të shkruajë se Thaçi dhe të tjerët që rrinin në hotelin Rogner në Tiranë, nuk ishin kërkush, derisa zhvilloheshin luftime në Kosovë, cilësohej tradhtar ose spiun i UDB-së. Sidoqoftë, tentimi i dëshmitarëve apo i mbrojtjes për të manipuluar opinionin publik shqiptar se në Hagë po gjykohet lufta çlirimtare e UÇK-së, nuk do të fitojë. As tentimi për ringjalljen e shkëmbimit të territoreve nuk besoj se do të ketë sukses. Elementi i fundit që dëshmon se Thaçi fsheh diçka të keqe është tentimi i tij për ta penguar drejtësinë. Tashmë katër veta po mbahen në arrest, nëpërmjet të cilëve Thaçi ka tentuar të ndikojë te dëshmitarët që të dëshmojnë rrejshëm”, nënvizon Krasniqi.
Për fund, Krasniqi thotë se tani po dëshmohet në Speciale se komandantët e LPK-së ishin fraksion ose kundërshtarë të Adem Jasharit, Salih Çekajt dhe Zahir Pajazitit.
“Rrenët e përgatitura me mjeshtri nga LPK për opinionin publik shqiptar, sidomos kosovar, gjatë luftës, tash po ndërkombëtarizohen nga dëshmitarët e mbrojtjes së “kryeçlirimtarit” Thaçi! Çka duhet të kuptojmë përfundimisht? Pse populli gjatë luftës nuk i përkrahu këta çlirimtarë të sajuar? Sepse kishin maska dhe nofka dhe flisnin në emër të UÇK-së, e ishin të LPK-së, bijës së Partisë së Punës së Enver Hoxhës. Ky krah i UÇK-së ishin nën urdhrat e Fatos Klosit dhe Fatos Nanos, të cilët ishin mbuluar me DM dhe $ nga Xhavit Haliti.
Komandantët e LPK-së ishin fraksion ose kundërshtarë të Adem Jasharit, Salih Çekajt dhe Zahir Pajazitit dhe komandoheshin nga Xhaviti dhe Azemi. Edhe vetë Demaçi ishte bërë argat i Xhavitit e Jakupi i Azemit”, përfundon Sefedin Krasniqi, ish-bashkëpunëtor i kolonel Ahmet Krasniqit.
Burimi: botasot.info


