Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës ka miratuar nismën për menaxhimin e flotës së automjeteve zyrtare përmes sistemit GPS.
Basha ka njoftuar se sistemi synon të rrisë kontrollin dhe mbikëqyrjen mbi përdorimin e automjeteve zyrtare të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit.
Sipas tij, përmes këtij sistemi do të krijohet një mënyrë më efikase e administrimit të automjeteve, duke rritur njëkohësisht llogaridhënien dhe transparencën në përdorimin e resurseve publike.
“Një hap tjetër drejt digjitalizimit dhe transparencës! Sot, në Qeveri u miratua nisma e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit për menaxhimin e flotës së automjeteve përmes sistemit GPS”, ka shkruar Basha.
Ministri ka bërë të ditur se sistemi është konceptuar në mënyrë që, në të ardhmen, të mund të zgjerohet edhe për automjetet zyrtare të institucioneve të tjera qeveritare.
“Ky sistem do të sjellë një standard të ri në administrimin e automjeteve zyrtare të Ministrisë, duke mundësuar kontroll dhe mbikëqyrje më të mirë të përdorimit të tyre. Njëkohësisht, sistemi është projektuar që në të ardhmen të mund të zgjerohet dhe të integrojë automjetet zyrtare të gjithë Qeverisë”, ka deklaruar ai.
Basha e ka paraqitur këtë nismë si pjesë të qasjes së Qeverisë për digjitalizimin e administratës publike dhe përmirësimin e menaxhimit të pasurive shtetërore.
“Kjo është qasja jonë ndaj digjitalizimit, që ofron më shumë kontroll dhe mbikëqyrje, më shumë llogaridhënie dhe transparencë, si dhe menaxhim më efikas i resurseve publike”, ka shkruar ministri i Infrastrukturës dhe Transportit.
Burimi: botasot.info


