Banka Shqiptare e Zhvillimit regjistrohet si shoqëri aksionare në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB), duke shënuar hapin e parë për themelimin e saj zyrtar në Shqipëri.
Kjo bankë ka për qëllim të mbështesë rritjen ekonomike dhe zhvillimin e sektorit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, duke kontribuar në nxitjen e produktivitetit, konkurrueshmërisë dhe zgjerimin në tregjet ndërkombëtare.
Banka do të ketë një strukturë administrimi me dy nivele, administratorin dhe Këshillin Mbikëqyrës.
Ministria e Financave është aksionare e vetme e bankës, duke zotëruar 100% të aksioneve. Kapitali fillestar i bankës është 10 miliardë lekë. Banka do të ofrojë financime për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, startup-et vendase, dhe projekte që mbështesin zhvillimin e infrastrukturës fizike dhe digjitale të vendit. Ajo gjithashtu do të mbështesë eksportet e mallrave dhe shërbimeve, si dhe projektet publike në nivel qendror dhe lokal.
Banka Shqiptare e Zhvillimit do të ofrojë kredi afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata për persona juridikë, si dhe do të bashkëfinancojë projekte me institucione financiare vendase dhe ndërkombëtare. Ajo do të lëshojë garanci financiare dhe tregtare, do të blejë obligacione korporatash dhe do të investojë në instrumente të kapitalit.
Përveç kësaj, banka mund të emetojë obligacione në tregjet financiare vendase dhe ndërkombëtare dhe të pranojë depozita nga bankat dhe institucione të tjera financiare. Ajo gjithashtu do të ketë akses në politikat monetare të Bankës së Shqipërisë dhe në skemat e rifinancimit.
Selia e Bankës Shqiptare të Zhvillimit do të jetë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë.
Burimi: botasot.info


