Gjykata e Posaçme zbardhi vendimin në të cilin argumenton se përse la në fuqi masën e ndalimit për të dalë jashtë Shqipërisë ndaj zv/kryeministres Belinda Balluku, një vendimmarrje që iu dorëzua gjatë ditës avokatëve dhe mbrojtësve, si dhe dy zyrtarëve të tjerë që janë nën arrest shtëpiak.
Sipas burimeve, gjyqtarja Miliana Muca arsyeton në verdiktin që e shpalli në datën 18 dhjetor se ekziston rreziku që zv/kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës, Balluku, t’i shmanget drejtësisë, dhe kjo duke u bazuar te marzhi i dënimit që parashikon akuza e komunikuar funksionares. Duke u mbështetur në këtë shpjegim ligjor, që e lidh të pandehurën Balluku me veprën e shkeljes së barazisë në tendera, gjyqtarja konsideron se për këtë arsye funksionares duhet t’i mbahet e bllokuar pasaporta.
Me lënien në fuqi të vendimit të kolegut Erjon Cela, gjyqtarja e Apelit të Posaçëm shpjegon se për pezullimin nga detyra të zv/kryeministres nuk mund të shprehet, për sa kohë çështja është nën shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese. Pezullimi i shqyrtimit gjyqësor të kësaj kërkese mbi pikën nëse mbetet apo jo në fuqi masa e pezullimit nga detyra zgjat deri në zgjidhjen me një vendim përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese, e cila nga ana tjetër del në seancë plenare në 22 janar 2026.
Qartësisht, për Gjykatën e Apelit, mbi Belinda Ballukun masa e pezullimit nga detyra ka rënë, në respektim të një qëndrimi të mëparshëm të Kushtetueses që e ktheu në detyrë. Nga zbardhja e vendimit, mbrojtja e Belinda Ballukut, Gentian Gjylit dhe Erald Elezit nisin përpjekjet për të depozituar rekurs në Gjykatën e Lartë.
Ndërkohë, në pritje të një date për t’u mbledhur Këshilli i Mandateve, ku do të debatohet për imunitetin e deputetes Balluku, SPAK nuk i ka mbajtur duart lidhur, por ka vijuar me një sërë kontrollesh të aprovuara nga gjyqtari i hetimit paraprak ndaj 54 subjekteve, shumica zyrtarë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe biznesmenë. Veprime këto që u kryen nga BKH, jo vetëm për të mbledhur prova, por edhe për t’i ruajtur ato, për sa kohë në Gjykatën Antikorrupsion prokurori i çështjes, Dritan Prenci, i tha gjyqtarit se ekziston rreziku i helmimit të provave dhe intimidimit të dëshmitarëve.
Top Channel
Burimi: top-channel.tv


