ballkani ne prag te stuhise paralajmerimi i kongresistit amerikan trondit rajonin dy ekspertet shqiptare zberthejne skenarin 6932fca2d474e

“Ballkani në prag të stuhisë” – Paralajmërimi i kongresistit amerikan trondit rajonin, dy ekspertët shqiptarë zbërthejnë skenarin

December 5, 2025
min lexim

Fjalimi i kongresistit amerikan Keith Self në Washington ka rënë si kambanë alarmi mbi gjithë Ballkanin Perëndimor. 

Duke folur para Kongresit, ai paralajmëroi se, pas Ukrainës, rajoni ynë mbetet pika më e nxehtë e Evropës, i ekspozuar ndaj ndërhyrjeve të Rusisë, Kinës dhe Iranit, ndërsa tensionet e ngrira etnike po shndërrohen në terren të përkryer për destabilizim.

Ky paralajmërim i ashpër, i një zyrtari të lartë amerikan, nuk është thjesht deklaratë politike. Është një sinjal i qartë se Ballkani rrezikon të kthehet në front të dytë të Kremlinit, me Serbinë në qendër të lojës.

Lidhur me këtë, për “Bota sot” ka folur profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare Enver Bytyçi dhe eksperti i sigurisë Drizan Shala, të cilët e shpjegojnë me detaje pse kërcënimi është real dhe pse Shqipëria e Kosova duhet të hyjnë në koordinim të plotë strategjik.

Rreziku është real, Serbia mbetet porta e Rusisë

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi, në një prononcim për “Bota sot”, thotë se mesazhi i senatorit Self është i qartë dhe se Ballkani sot mbetet një zonë potenciale shpërthimi.

“Senatori republikan amerikan, Keith Self, ka lëshuar disa mesazhe sidomos për Shqipërinë, por edhe për rajonin e Ballkanit. Ai paralajmëroi gjatë fjalës së tij në Kongresin Amerikan se përveç agresionit rus ndaj Ukrainës, Ballkani Perëndimor mbetet rajoni më i paqëndrueshëm në Evropë, i përfshirë prej dekadash në tensione të pazgjidhura etnike, politike dhe territoriale.”

Ai thekson se këto tensione janë terren për ndikime të jashtme.

“Konfliktet e ngrira po krijojnë terren për ndërhyrje të aktorëve malinj si Rusia, Kina dhe Irani, të cilët po e shfrytëzojnë situatën për të minuar ndikimin e SHBA-ve, Bashkimit Evropian dhe NATO-s”, shton Bytyçi.

Sipas Bytyçit, rreziku është konkret dhe i prekshëm.

“Rreziku është real. Rusia kërkon që të paralizojë plotësisht rolin e Bashkimit Evropian në marrëveshjen e përfolur për paqe në Ukrainë… Të kërcënohet Evropa e përmes kësaj të paralizohet roli evropian në këtë konflikt”, thekson Bytyçi.

Ai e quan Ballkanin “zonë të ngrirë konflikti” dhe i rikthehet rolit destabilizues të Serbisë.

“Ballkani Perëndimor përbën një avantazh për agresionin rus në Ukrainë. Por kjo zonë e ngrirë vjen për shkak të politikave destabilizuese e pro-ruse të Serbisë… Në Beograd askush nuk mendon për paqe. Të gjithë i përmbahen retorikës së luftës.”

Bytyçi përmend edhe detajin e rëndë të ndërhyrjes së Trump për të mos lejuar një sulm serb ndaj Kosovës:

“Në muajin maj të këtij viti ishte presidenti Donald Trump që parandaloi një sulm ushtarak të planifikuar të Beogradit kundër Kosovës”, shpjegon profesor Bytyçi.

Image

Enver Bytyçi

Duke folur për rrezikun permanent, ai shton se për këto dhe arsye të tjera Ballkani Perëndimor mbetet prova e zjarrit, vatër konflikti, i cili mund të shpërthejë në çdo moment.

Sipas tij, Perëndimi e ka kuptuar se Vuçiqi është rrezik.

“Perëndimi ka arritur në përfundimin se presidenti i Serbisë është dhe mbetet kërcënim për rajonin… Lajmet se Vuçiq ka marrë pjesë në gjuetinë e njerëzve në Sarajevë… janë paralajmërimi për të se mund të përfundojë në Gjyqin Penal të Hagës.”

Në fund, Bytyçi bën thirrje të qartë për bashkim strategjik mes Shqipërisë dhe Kosovës.

“Është koha që Kosova dhe Shqipëria të bëhen plotësisht bashkë, në çdo hap… Marrëveshja ushtarake midis Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë duhet të kthehet në një Memorandum aleance… një aleancë mbrojtjeje praktikisht edhe kundër Serbisë, edhe kundër Rusisë”, përfundon profesor, doktor Enver Bytyçi për “Bota sot”.

Rajoni mund të ndizet nga një incident i vetëm

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, në deklaratën e tij për “Bota sot”, e sheh mesazhin e Keith Self si paralajmërim serioz për gjithë rajonin.

“Deklarata e Keith Self për rrezikun e një konflikti të ri në Ballkan nuk është një reagim i rastësishëm, por një sinjal i qartë se rajoni mbetet një pikë e ndjeshme brenda hartës së sigurisë euroatlantike”, thotë Shala.

Image

Drizan Shala

Ai e lidh drejtpërdrejt me vlerësimin e Uashingtonit.

“Ballkani, edhe pse jo në prag të një lufte të hapur, është një zonë ku tensionet mund të ndizen shpejt për shkak të faktorëve të jashtëm dhe dinamikave të brendshme.”

Shala vë theksin te roli rus në rajonin e Ballkanit.

“Rritja e agresivitetit rus në Evropë… e kthen rajonin në një shënjestër strategjike, veçanërisht përmes Serbisë që mbetet aleati më i fortë i Rusisë në kontinent”, nënvizon Shala.

Ai përmend ngjarjet e fundit në Kosovë, Bosnjë e Mal të Zi.

“Ngjarjet e Banjskës… strukturat paraushtarake në veri… tensionet në Bosnjë… tregojnë se terreni për destabilizim ekziston dhe se mund të aktivizohet brenda një kohe shumë të shkurtër.”

Shala nënvizon se rreziku vjen nga provokimet e vogla.

“Rreziku më i besueshëm sot nuk është një luftë klasike, por një incident i vogël me potencial për eskalim të shpejtë”, shton Shala.

Ai e mbyll me një mesazh të prerë.

“Ballkani nuk është drejt shpërthimit, por mbetet një rajon ku çdo papërgjegjësi, provokim apo vakum i sigurisë mund të shndërrohet në krizë”,  përfundon eksperti i sigurisë, Drizan Shala

Burimi: botasot.info

VERO JUMBO MACEDONIA

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

fabregasi po befason 6932fc9364e8c
Lajmi i mëparshëm

Fabregasi po befason

paqja fiskale pastrim parash pas fmn dhe bankes boterore ekspertet hedhin dyshime per pr ligjin e financave rrezik per evazion 6932fd690738c
Lajmi i radhës

“Paqja fiskale”, pastrim parash? Pas FMN dhe Bankës Botërore, ekspertët hedhin dyshime për pr.ligjin e Financave: Rrezik për evazion

Të fundit nga

ShkoLartë