Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, është takuar sot me banorët e Njësisë Administrative nr. 14, në zonën e Astirit, ku qytetarët kanë denoncuar mungesën e theksuar të infrastrukturës dhe një problem serioz që rrezikon jetën e tyre.
Sipas banorëve, një Kabinë elektrike është vendosur në hyrje të pallatit, duke bllokuar hyrjen dhe njëkohësisht rrezikuar jetën e fëmijëve dhe të gjithë banorëve të godinës.
Deputeti Balliu u shpreh se situata është ‘e turpshme dhe e papranueshme’, duke theksuar se është absurde që ‘në mes të Tiranës, qytetarët të jetojnë me një infrastrukturë të tillë skandaloze, që i ngjan Mesjetës’.
‘Është një çmenduri që vetë qeveria dhe pushteti vendor vendosin Kabina elektrike në hyrje të pallateve, duke rrezikuar jetën e qytetarëve. Kjo tregon papërgjegjshmëri dhe arrogancë ndaj qytetarëve të kësaj zone që paguajnë taksa por trajtohen si qytetarë të dorës së dytë,’ deklaroi Balliu.
Deputeti demokrat theksoi se do të ndjekë këtë çështje deri në zgjidhjen përfundimtare dhe do të kërkojë mbajtjen përgjegjëse të institucioneve që kanë lejuar këtë shkelje të rëndë të sigurisë publike.
Burimi: botasot.info


