Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi sot në Kuvend se është rënë dakord që të zhvillohet një seancë e posaçme për raportin e OSBE/ODIHR, ndërsa shtoi se të gjitha gjetjet e raporteve për zgjedhjet e viteve të fundit do të trajtohen së bashku.
Në Kuvend, teksa diskutohej raporti i veprimtarisë vjetore të Drejtorisë së Administratës Publike, deputeti i Partisë Demokratike Oerd Bylykbashi tha se raporti i OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 11 majit 2025 ngriti shqetësime për përdorimin e administratës publike gjatë fushatës zgjedhore. Ndaj këtij qëndrimi reagoi Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla.
“Kemi rënë dakord që të kemi një ditë të posaçme për të diskutuar raportin e OSBE/ODIHR, dhe po ashtu kemi dakortësuar me një votë unanime këtu që të gjitha gjetjet e raportit të OSBE, jo vetëm për zgjedhjet e 11 majit, por edhe të 14 majit 2023, edhe të 25 prillit 2021, ti marrim sëbashku dhe ju z. Bylykbashi, sëbashku me z.Gjiknuri, të bëni detyrën që ju adreson kuvendi për t’i adresuar këto çështje”, tha Balla.
Ai tha se për herë të parë raporti evidentoi se pas zgjedhjeve të 11 majit, partive politike ju dha e gjithë koha e nevojshme për të kryer ankimime, teksa kolegji zgjedhor pohoi se nga 40 ankesa në kolegj, nuk u paraqit asnjë provë konkrete.
Balla shtoi se “zgjedhjet e 11 majit ishin zgjedhje sikurse vetë raporti thotë, që i dhanë vendit një qeverisje të konsoliduar dhe që për herë të parë në gjithë këto vite u dha koha e nevojshme për t’u shqyrtuar të gjitha ankesat e mundshme. Katër muaj me radhë u shqyrtuan të gjitha ankesat dhe siç e dini, po ti lexoni të gjitha vendimet e kolegjit zgjedhor, të asnjë prej rasteve, nga subjekti ankimues nuk u dha asnjë provë. Pra PD ka depozituar mbi 40 ankesa në kolegj zgjedhor, për asnjë prej tyre nuk u paraqit asnjë provë”, nënvizoi Balla.
Duke iu referuar pretendimeve për votën e diasporës dhe çështjen e patronazhistëve, Balla tha se
“Këtu e kishit drejtuesin e SPAK, meqë folët dhe për patronazhistët, bëtë dhe një kallëzim sa i takon votës së diasporës, e morët përgjigjen nga SPAK, që pasi krye hetimet rezultoi se s’kishte asnjë shkelje. Ju keni vite që do këndoni të njëjtën këngë. Për ne e rëndësishme është që gjetjet e OSBE të adresohen”, tha kreu i grupit parlamentar të PS.
“Ju keni vite që këndoni të njëjtën këngë. Për ne e rëndësishme është që gjetjet e OSBE/ODIHR të adresohen,” theksoi Balla.
Më tej Balla tha se është mundësia që Shqipëria dhe Mali i zi të anëtarësohen sëbashku në Bashkimi Evropianë. “E dëgjuat komisioneren Kos. Shqipëria ka bërë një progres të paprecedent. Shqipëria thotë, ka shënuar rezultate të shkëlqyera. Një ecje si asnjëherë tjetër përgjatë këtij procesi. Dhe ajo që komisionerja tha për mundësinë e një anëtarësimi të shpejtë të Shqipërisë dhe të Malit të Zi, nuk është më tanimë një ëndërr, po është një mundësi, të cilën dua ta shfrytëzojmë të gjithë së bashku”, theksoi Balla.
Ai shtoi se roli i opozitës në proces është i pazëvendësueshëm. “Mali i Zi në vitin 2012 hapte negociatat dhe nëse në viti 2012 Mali i Zi ishte të paktën nja 12 vjet përpara nesh, sot ja ku po ta them unë këtu dhe dëgjoja me vëmendje: Shqipëria dhe Mali i Zi do të hyjnë në Bashkimin Europian në të njëjtën ditë”, nënvizoi Balla.
Kreu i grupit të PS, tha më tej se administratën shqiptare e vlerëson Brukseli, ku Shqipëria ka notën më të lartë se Seribia, Mali i zi..etj.
“Shqipëria krahasuar me gjashtë vendet e tjera në këtë proces kanë notën më të lartë për administratën publike. Më të lartë se Mali Zi, më të lartë se Serbia dhe shumë më të largët patjetër edhe vendet e tjera edhe Kosovën tonë të dashur. Tani, si i bëhet kësaj që ne që e kemi mbrapa Malit të Zi?”, tha Balla.
Burimi: botasot.info


