“VLEN-i është projekti më i madh kombëtar për artikulimin e zërit të shqiptarëve në Maqedoni”, tha deputeti Adnan Azizi, në një paraqitje në TV21, duke folur për shkrirjen e VLEN-it në një parti.
Ai theksoi se për herë të parë ka ndodhur bashkimi i gjashtë subjekteve politike në një. Ai gjithashtu tregoi se kujt do t’i takojnë pozitat e nënkryetarëve dhe sekretarit gjeneral.
“Kam qenë optimisti më i madh se VLEN-i do të bëhet dhe BDI-në do ta çojë në opozitë, se do të jetë projekt i madh kombëtar për ta artikuluar zërin e shqiptarëve. Për herë të parë kemi bashkim të gjashtë subjekteve politike, të 4 partive dhe 2 lëvizjeve. Është mund i madh dhe strategji e shpirtmadhësi e prijësve të kësaj ideje, që shqiptarët t’i bëjmë bashkë dhe të flasin me një zë. VLEN-i do të bëhet një subjekt, kemi dakordim edhe për lidershipin, për kryesinë, kuvendin.
“Do të ketë sekretar gjeneral dhe dy nënkryetar, të cilat u takojnë subjekteve tjera që janë pjesë e VLEN-it. Sipas dakordësisë fillestare sekretar gjeneral do të jetë Bekim Sali, ndërsa nënkryetarët do t’u takojnë ASh-së dhe Vetëvendosjes”, theksoi Azizi.
Burimi: alfax.mk


