Muzeu i Arteve Bashkëkohore në Republikën e Maqedonisë së Veriut vazhdon të mbetet një nga institucionet më të rëndësishme kulturore në vend, duke promovuar artin modern dhe bashkëkohor vendor e ndërkombëtar. Me një koleksion të pasur dhe aktivitete të shumta ekspozuese, muzeu shërben si hapësirë e dialogut artistik, kreativitetit dhe reflektimit kritik mbi zhvillimet shoqërore dhe kulturore, shkruan Portalb.mk.
Avni Qahili i cili është emëruar së fundmi në krye të Muzeut të Arteve Bashkëkohore në Republikën e Maqedonisë së Veriut, për Portalb.mk tha se Muzeu i Arteve Bashkëkohore do të jetë hapësirë edhe për artistët shqiptarë të këtij niveli.
Ai thotë se në vitin 2026, Muzeu i Arteve Bashkëkohore nuk do të ndryshojë asgjë nga programi i tij, sepse ai u emërua në janar të këtij viti, në kohën kur të gjitha programet vjetore të institucioneve kulturore kanë kaluar me stafin e vjetër.
“Ky muze, që llogaritet si i nivelit më të lartë të artit, sigurisht që do të ketë hapësirë edhe për artistët shqiptarë të këtij niveli, të cilët do të jenë prezentë jashtë programit. Jemi në bisedime me piktorin e madh me famë botërore, Reshat Ahmeti, i cili vjen nga Maqedonia, me Katedrën e Artit të Universitetit të Tetovës, si dhe pritet bashkëpunimi përmes Ambasadës së Republikës së Kosovës, që të jenë prezentë artistë kosovarë me famë botërore. Kur jemi këtu, dua të theksoj vizitën time në Slloveni te artisti kosovar Gani Llalloshi. Ekspozitën “Nostalgji” presim që vitin tjetër ta kemi në muzeun tonë”, tha Qahili.
Ai shtoi se gjatë mandatit të tij, Muzeu i Arteve Bashkëkohore nuk do të mbetet më një derë gjysmë e mbyllur për artistët shqiptarë, por ata do ta kenë vendin që e meritojnë, me dinjitet, me nivel dhe me prezencë të denjë
“Brenda këtij mandati, shpresoj që 30% të të punësuarve ta arrij me punësimin e artistëve shqiptarë. Artistët shqiptarë kanë qenë shumë pak të prezantuar në këtë muze, por ashtu siç u përgjigja më lart, ardhja ime në këtë funksion sigurisht që ka për qëllim sjelljen e artistëve më të mirë shqiptarë nga vendi dhe rajoni. Në dy muajt e parë të ardhjes sime, çdo ditë jam në kontakt me këta artistë dhe jam duke hartuar planet se si do të prezantohen ata gjatë mandatit tim. Konkurset janë vjetore dhe shpresoj që aty të konkurrojnë artistë shqiptarë me renome, gjë e cila do të ndodhë në fundvit. Shpresoj që së paku në atë program të jenë prezentë këta artistë”, tha Qahili.
Muzeu i Arteve Bashkëkohore mbetet një pikë referimi e rëndësishme për zhvillimin e skenës artistike në vend, duke krijuar ura bashkëpunimi mes artistëve, institucioneve dhe publikut.
Përmes aktiviteteve dhe ekspozitave të tij, muzeu vazhdon të kontribuojë në pasurimin e jetës kulturore dhe në promovimin e vlerave të artit bashkëkohor në Republikën e Maqedonisë së Veriut.







lajmpress.org

