atmosfera ne prishtine terheqese per seminaristet e huaj qe po qendrojne ne kosove 68ab3a0ea3084

Atmosfera në Prishtinë tërheqëse për seminaristët e huaj që po qëndrojnë në Kosovë

August 24, 2025
min lexim

Në Prishtinë po mbahet edicioni i 43-të i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, një ngjarje që grumbullon studiues të gjuhës dhe kulturës shqiptare nga e gjithë bota.

Seminari përqendrohet në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore, gjuhësore dhe historike të shqiptarëve, si dhe në mësimin e gjuhës shqipe, raporton KosovaPress.

Disa nga seminaristët tregojnë përvojat e tyre, përtej aktiviteteve që ofron seminari.

Maria Morozova ka 14 vjet që është pjesë e seminarit dhe ajo thekson se Prishtina ofron gjithnjë e më shumë aktivitete të larmishme.

Morozova: Më pëlqen kuzhina tradicionale shqiptare

“Pas kurseve dhe ligjëratave kemi dalë në qytet për të bërë diçka, zakonisht mund të jetë në një kafene duke biseduar me miq ose në ndonjë restorant. Ka restorante të mira në Prishtinë. Më pëlqen shumë kuzhina tradicionale këtu dhe në mbrëmje prapë me miq shkojmë në ndonjë festë ose me shoqëri afër konviktit ose diku jashtë në qytet, sepse ka shumë aktivitete në hapësira të hapura. Këto aktivitete më pëlqejnë shumë, më duket se kemi aktivitete shumë të gjalla këtu,” tha Morozova.

Morozova po ashtu ndan përvojën e saj me qytetin e Prishtinës në krahasim me vitet e mëhershme kur ishte pjesë e seminarit.

Morozova: Ka shumë ndryshime pozitive në Prishtinë

“Me siguri Prishtina po ndryshon. Patjetër nga vitet e para këtu, nga 2007, 2008… më duket se gjatë kësaj kohe ka edhe më shumë ndërtim, ka ndërtesa të reja që e përmirësojnë pamjen e Prishtinës në krahasim me atë që kemi pasur më parë, ka shumë vende për të dalë dhe për t’u zbavitur… Besoj se janë interesante edhe për vendasit edhe për ne si mysafirë. Shoh shumë ndryshime dhe gëzohem sepse janë ndryshime për të mirë”, tha ajo.

Gerard Spaans nga Holanda tregon se përveç seminarit, ka gjetur kohë të ndjekë një ndeshje futbolli të ekipit gjilanas Drita.

Spaans: Përveç seminarit, përcjellim edhe aktivitetet kulturore në Prishtinë

“Është veçanërisht kënaqësi të pish kafe, të hash drekë apo darkë me shoqëri, me mësuesit nga Seminari, kështu që zakonisht mundohem të takohem me njerëz, kolegë, shokë, mësues nga Seminari. Ne ndjekim eventet kulturore që organizohen në Prishtinë gjatë kohës sa jemi këtu. Vitin e kaluar për shembull kemi ndjekur një ndeshje futbolli të ekipit Drita për Konference Ligë dhe ka qenë bukur të shohësh edhe një aspekt tjetër të jetës në Prishtinë,” th Spaans.

Seminaristët kanë mundësinë të vizitojnë dhe të njihen edhe me qytetet e tjera të Kosovës. Spaans po ashtu ndan përvojën e tij në qytetin e Pejës.

Spaans: Ekskursionet janë një mënyrë e mirë për të parë pjesë tjera të shtetit

“Ekskursionet janë një mënyrë e mirë për të parë pjesë tjera të shtetit, udhëtimi i djeshëm për në Pejë ishte shumë i mirë sidomos pasi ka qenë afër maleve dhe më kujtonte Zvicrën, ku unë jetoj për momentin, të kesh male përreth është gjithmonë bukur. Vitin e parë kur kam qenë këtu, do të thotë para dy vjetësh kam qenë në Shkup, gjithashtu është interesante të shohësh se si komuniteti shqiptar funksionon përtej kufijve”, ka thënë Spaans.

Pjesëmarrësi tjetër i seminarit Andrin Honegger nënvizoi se qyteti i Prishtinës është i bukur, por janë njerëzit ata që e bëjnë atë të veçantë.

Honegger: Qyteti është shumë i bukur por janë njerëzit ata që e bëjnë atë të veçantë”

“Besoj se shumica e kohës më kalon duke shëtitur dhe duke shkuar në kafene, një nga gjërat kryesore që mund të bëjmë këtu dhe që mua më pëlqen ta bëj është të takosh njerëz të njëjtë dhe shumica prej tyre janë në një fushë të ngjashme, në linguistikë, kështu që është interesante të flasësh me njerëz dhe të mësosh perspektivën e tyre. Kjo më ka ndihmuar të motivoj veten të qëndroj në këtë fushë, të bëj hulumtime dhe të kem diskutime, të bëj shoqëri. Qyteti është shumë i bukur të shkosh gjithandej dhe të eksplorosh, por janë njerëzit ata që e bëjnë atë të veçantë”, ka thënë Honegger.

Edhe Alexander Herren shprehet i emocionuar me atmosferën dhe jetën në Kosovë.

Herren: Shkoj në kafene të ndryshme, sodis qytetin në vetvete

“Pas kurseve të gjuhës shqipe apo edhe në mes tyre, ne vizitojmë edhe vende të tjera. Për shembull, unë punoj edhe gjatë seminarit kështu që shkoj te Biblioteka Kombëtare, shkoj në kafene të ndryshme, pushoj kur kam kohë ose vetëm sodis qytetin në vetvete dhe takoj njerëz të rinj. Kjo është pjesë e eksperiencës time, të takoj njerëz që jetojnë në Prishtinë, njerëz që janë kthyer në Prishtinë dhe të dëgjoj historitë e tyre, të flasim për hulumtime të ndryshme dhe po ashtu për seminarin dhe çfarë do të thotë ai për ta,” tha Herren.

Herren thotë se i pëlqen të njihet sa më shumë me jetën dhe kulturën shqiptare.

Herren: Kam pasur mundësinë të vizitojë Prizrenit para dy vjetësh

“Kam pasur mundësinë të shoh qytetin e Prizrenit para dy vitesh me disa shokë dhe profesorë. Kam pasur mundësinë të eksploroj qytetin dhe po ashtu kemi kaluar nëpër rrugë malore, kështu që kemi mundur të shohim jugun e Kosovës por nuk kemi parë ende pjesë të tjera. Meqë jam këtu tani, dua të provoj të shkoj edhe në Parkun në Gërmi dhe ndoshta edhe disa pjesë të tjera jashtë qytetit”, tha ai.

Seminari i 43-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare rikujton rëndësinë e këtyre aktiviteteve për promovimin e kulturës dhe gjuhës shqiptare, duke i dhënë mundësi pjesëmarrësve të thellojnë njohuritë dhe të ndërtojnë lidhje ndërkombëtare. 

Burimi: botasot.info

VERO JUMBO MACEDONIA

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

bombardime intensive ne rripin e gazes ndersa izraeli pergatitet te marre kontrollin e qytetit me te madh 68ab34e586f4b
Lajmi i mëparshëm

Bombardime intensive në Rripin e Gazës, ndërsa Izraeli përgatitet të marrë kontrollin e qytetit më të madh

vlen kryetari i likoves mashtron qytetaret per investimet 68ab3f596a6cc
Lajmi i radhës

VLEN: Kryetari i Likovës mashtron qytetarët për investimet

Të fundit nga

ShkoLartë