Një atentat mafioz ndodhi pasdreken e së martës në rrethrrotullimin e Rinasit, ku viktimë mbeti Gilmando Dani, ndërsa u plagos Muçi Shaljani Sheqeri. Ata po udhëtonin me një automjet tip Mercedes Clas, kur ndaj tyre u qëllua nga një tjetër automjet Toyota me ngjyrë blu dhe targa të huaja. Ky automjet u gjet disa minuta pas krimit duke u djegur, ndërsa brenda tij u gjetën edhe armë zjarri që janë dërguar për inspektim në laboratorin e kriminologjisë.
Policia ka mbledhur pamjet nga kamerat e sigurisë, ndërsa gazetari i Syri TV, Klajdi Bodlli, ka nxjerrë detaje të reja lidhur me ngjarjen. Sipas tij, referuar pamjeve të kamerave të sigurisë, një prej autorëve mbante një veshje të ngjashme me ato të policisë.
Bodlli tha se ai ka zbritur nga automjeti tip Toyota dhe është afruar drejt makinës ku ndodhej viktima dhe i plagosuri.
“Nga ajo çfarë shihet në video mjeti tip Mercedes C-Class ku ndodhej viktima dhe i plagosuri i afrohet rrethrrotullimit të Rinasit, ndërkohë të shtënat nisin nga një automjet Toyota, blu i errët. Në video dëgjohen të shtëna.
Disa sekonda më pas Benzi ngjyrë e bardhë, ndalon pak sekonda dhe më pas rrotullohet dhe ndalon tek vijat e bardha të rrethrrotullimit të Rinasit.
Ndërkohë brenda hapësirës së rrethrrotullimit, ndalon mjeti tip Toyota i autorëve, ku nga dera e pasagjerit të këtij mjeti zbret njëri prej tyre dhe i afrohet Mercedesit tip C-Class, hap derën e pasagjerit dhe qëllon disa herë me armë zjarri.
Në këtë moment, nga automjeti ku ndodhej Dani dhe Shaljani (Sheqeri) ka një kundërpërgjigje ndaj autorit të vrasjes, duke qëlluar. Duket flaka e armëve që del nga mjeti C-Class.
Autori, i maskuar dhe me një veshje që ngjante me uniformë policie, largohet dhe hipën në mjetin tip Toyota, i cili menjëherë merr rrugën drejt Fushë-Krujës, duke ndjekur rrugën Vorë-Fushë-Krujë. Më pas, mjeti u gjet i djegur në fshatin Halilaj nga forcat e policisë dhe zjarrfikësit.
Në makinë policia ka gjetur 4 armë zjarri, por në fillim policia nuk është afruar për shkak se plumbat vazhdonin të plasnin nga zjarri i mjetit. Nga pamjet e videos duket qartë e gjithë dinamika e ngjarjes: të paktën një autor ka zbritur nga mjeti tip Toyota dhe një tjetër ka qëndruar në vend.
Dëgjohen të shtënat që kanë nisur para se mjeti tip Mercedes C-Class të ndalte tek vijat e bardha të rrethrrotullimit. Mjeti afrohet, ndalet dhe autori i maskuar, me një veshje ngjyrë blu që ngjante me uniformë policie, hap derën e mjetit tip C-Class dhe qëllon disa herë.
Ata i kundërpërgjigjen. Ende nuk dihet nëse autori ka mbetur i plagosur, por ai largohet duke u përkulur, hipën në Toyota dhe largohet drejt rrugës Vorë-Fushë-Krujë”, shprehet gazetari.
Burimi: botasot.info


