Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha foli sot në konferencën e tij me gazetarët, lidhur me atentatin mafioz në Rinas, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe i plagosur agjenti i AMP-së, Muçi Shaljani alias Sheqeri.
Berisha tha se institucionet që punësuan Sheqerin në AMP duke anashkaluar procedurat dhe protokollet janë të lidhura me krimin.
Sali Berisha: Muçi Sheqeri ka shkuar në AMP si njeri i pastër. Institucionet që e kanë marrë në punë janë institucione të përfshira kokë e këmbë në krim, të udhëhequr nga krimi, fuqia e bandës jo vetëm vesh Sheqerin me uniformën e policisë por jep vendin e shoferit të shefit të Shërbimit të Inteligjencës së Policisë, një nga vendet më nervlagjike, sepse drejtori i tij është i lidhur me bandat.
Kujtojmë se lidhur me rastin Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka ndaluar dy efektivë të Policisë së Shtetit.
Sipas njoftimit zyrtar, janë ndaluar Nënkomisar Bruno Cara, me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve, dhe Inspektor Ashim Zajmi, me detyrë Ndihmës/Specialist i Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Nr. 3, Tiranë.
Të dy këta punonjës policie dyshohen për veprat penale “Falsifikim i vulave, stampave ose formularëve” dhe “Shpërdorim i detyrës”.
Hetimet e deritanishme tregojnë se ata, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë përpiluar në mënyrë të parregullt “Vërtetimin e Besueshmërisë” për Muçi Shaljani, duke mos pasqyruar të dhëna që përbënin shkak për cënimin e kushteve të sigurisë. Kjo ka bërë të mundur punësimin e Muçi Shaljani pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
Muçi Shaljani ishte shoqëruesi i Gilmando Danit gjatë atentatit të djeshëm dhe u plagos me disa plumba, dy prej tyre në kokë dhe ndodhet në gjendje të rëndë në koma.
Burimi: botasot.info


