ASH: Regjistrimi i 2026-s, një nisëm e qeverisë monoetnike për masakër demografike ndaj shqiptarëve

June 29, 2025
min lexim

Shkup, 29 qershor – Aleanca për Shqiptarët shpreh shqetësim të thellë dhe kundërshtim të vendosur ndaj paralajmërimit të ministrit për Transformim Digjital, Stefan Andonovski, për realizimin e një regjistrimi digjital të popullsisë në vitin 2026 – pesë vite para afatit të rregullt që është caktuar për vitin 2031.

“Ky paralajmërim, në kushtet aktuale politike, nuk është thjesht një veprim teknik, por një hap i rrezikshëm dhe i qëllimshëm, që vjen në funksion të deformimit të përqindjes reale të shqiptarëve dhe në kundërshtim flagrant me standardet ndërkombëtare statistikore dhe udhëzimet e Eurostat-it, të cilat përcaktojnë që regjistrimet e popullsisë duhet të realizohen në dekada të plota – përkatësisht në vitet që përfundojnë me “0” ose “1” (siç është 2030 apo 2031).

Kjo tentativë, e ndërmarrë nga një qeveri monoetnike pa legjitimitet politik shqiptar, është tendencioze, e papranueshme dhe provokuese, sidomos pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që hodhi poshtë ndarjen diskriminuese të popullsisë në “rezidentë” dhe “jo-rezidentë”, një ndarje që kishte vetëm një qëllim: uljen artificiale të përqindjes së shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Përpjekjet për regjistrim të parakohshëm janë sinjal i qartë i një plani të errët të VMRO-DPMNE-së për të riformatuar realitetin demografik dhe për të rrëzuar themelet e Marrëveshjes së Ohrit, mbi të cilën ndërtohet bashkëjetesa dhe balanca ndëretnike në vend.

Ne i paralajmërojmë publikisht VMRO-DPMNE-në dhe kryeministrin Mickoski se nuk do të lejojmë zbatimin e një regjistrimi të tillë të manipuluar dhe se do të përballen me shqiptarët – me popullin, me organizatat dhe me forcat e vërteta demokratike, jo me përfaqësuesit e VLEN-it që po e justifikojnë çdo hap të kësaj qeverie antishqiptare me kokën në thes. Shuplaka e parë politike do të vijë në muajin tetor, në zgjedhjet që do të dëshmojnë fundin e mashtrimit dhe rrëzimin e piramidës artificiale të VLEN-it. Atëherë do të nisë beteja e madhe për mbrojtjen e së vërtetës statistikore, të drejtës për përfaqësim dhe për të ardhmen euroatlantike të vendit.

Ne deklarojmë qartë dhe prerë se regjistrimi i popullsisë nuk do të ndodhë sipas vullnetit të Mickoskit, as sipas agjendave të ndikuara nga “Bota Serbe”. Nuk do të lejojmë manipulim me identitetin, me numrat dhe me të ardhmen e shqiptarëve, dhe çddo përpjekje për regjistrim të parakohshëm është sulm ndaj paqes, bashkëjetesës dhe themeleve të shtetit. Ne i bëjmë thirrje qeverisë që të ndalë çdo hap të mëtejshëm drejt këtij projekti të rrezikshëm dhe të tërhiqet nga planet destabilizuese, që rrezikojnë kohezionin social dhe orientimin strategjik të vendit.”, thuhet në reagimin.

Burimi: zhurnal.mk

MARKETING

RENT A CAR

Lajmi i mëparshëm

Mexhiti: BDI fshiu mijëra shqiptarë nga regjistrimi, koha për përgjegjësi!

Të fundit nga

ShkoLartë