Gjermania dhe shtetet e tjera të BE-së kanë rënë dakord që të sigurohet baza ligjore për vendimmarrjen mbi bazën e shumicës, teksa synimi final është që asetet shtetërore ruse të ngrira në bllokun europian, të lëvrohen në Ukrainë.
Presidenca daneze e Këshillit të BE-së njoftoi se konkretisht synohet në radhë të parë të parandalohet, që shtetet miqësore ndaj Rusisë brenda BE-së si Hungaria ta bllokojnë lëvrimin e këtyre aseteve përmes vetos. Ndërkohë para nga Banka Qendrore ruse janë ngrirë përmes vendimeve të BE-së për sanksione, afati i të cilave shtyhet çdo gjashtë muaj.
Ky rregull pengon që paratë për kredi afatgjata të mund të përdoren në Ukrainë, dhe që duhet t’i kthehen Rusisë vetëm në rast se pas fundit të luftës ajo do të jetë e gatshme të paguajë për reparacione. Për t’i përdorur pa afat paratë ruse, Gjermania dhe disa shtete të tjera të BE-së i referohen nenit 122 të Marrëveshjes për Mënyrën e Funksionimit të Bashkimit Europian. Në këtë nen përcaktohet, se në rast të vështirësive të mëdha ekonomike mund të miratohen masat e nevojshme me të ashtuquajturën shumicë e kualifikuar. Për këtë në tekstin ligjor ndër të tjera thuhet, se lufta e Rusisë kundër Ukrainës krijon sfida të rënda ekonomike.
Kalimi i parave në Rusi duhet të parandalohet me urgjencë të lartë, në mënyrë që të kufizohet dëmi për ekonominë e unionit. Dekreti duhet të miratohet në samitin e BE-së javën e ardhëshme. Banka Qendrore e Rusisë tha të premten se planet e Bashkimit Evropian për t’i përdorur asetet e saj janë të “jashtëligjshme” dhe se ajo gëzon të drejtën për t’i përdorur të gjitha mjetet e në dispozicion për mbrojtjen e interesave të veta. Në një deklaratë, banka tha se po e padit institucionin financiar me qendër në Bruksel, Euroclear – i cili mban shumë nga asetet ruse – në një gjykatë në Moskë për shkak të atyre që ajo i përshkroi si “veprime dëmtuese”.
Zyrtarët rusë kanë thënë vazhdimisht se një veprim i tillë do të merrte “përgjigjen më të ashpër”.
Top Channel
Burimi: top channel


