Sistemi arsimor në Kosovë lëngon në shumë aspekte, u tha sot në debatin publik me temën “Arsimi në 360°”. Kështu u tha në aktivitin e organizua nga ETEA në bashkëpunim me Bibliotekën “Hivzi Sulejmani”, në kuadër të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Arsimit.
Ish-ministrja e Arsimit në Shqipëri, Besa Shahini tha se roli i shtetit është kyç në sistemin arsimor, duke marrë parasysh nxënësin, mësimdhënësin dhe përmbajtjen.
“Roli i shtetit është kyç. Jo veç në sistemin publik të arsimit, po në përgjithësi, gjithçka që ndërtohet si politikë arsimore, roli i shtetit është kyç. Për me u ndërlidh me çka tha Alejtini pak, kur është zbuluar radio, njerëzit kanë menduar që ka me u ndryshuar thelbësisht mënyra se si transmetohen dijet, për shkak se tash është radio ku nuk ke komunikim vetëm çka ndodh në klasë, domethënë mësuesit edhe nxënësve, po mundesh me transmetuar dijet te krejt kush ka radio. Natyrisht, ajo nuk e transformoi arsimin. Kur u zbulua televizori, menduan që tash definitivisht ka me ndodh transformimi, sepse tash e ke edhe me figurë. Pra, mundesh me qit mësuesin në televizor edhe prapë nuk ka ndërruar shkolla. Kur është zbuluar interneti, ka qenë e njëjta pikëpyetje. Ajo çka s’ka ndryshuar asnjëherë është ky trekëndëshi që ekziston, që është thelbi i arsimit, që është nxënësi, e ka përballë mësuesin, edhe përmbajtja”, tha ajo.
Arsimi duhet të ketë qëllim, tha Shahini ndër tjera, që të përgatis të rinjtë për tregun e punës, një jetë të përmbushur por edhe që të ketë rol në shtetndërtim.
Hulumtuesi në Institutin Pedagogjik të Kosovës, Selim Mehmeti tha se nuk ka pasur avancim të sistemit arsimor edhe pas rezultateve të PISA-s.
“Rezultatet tona, të studimeve, të raporteve që janë nxjerrë prej kolegëve tanë, prej profesor Dukagjinit, prej profesorit në institut, prej kolegut Ismetit, prej studiuesve të tjerë, dhe ato që janë prezantuar nga raportet e Ministrisë së Arsimit për studimet PISA dhe studime të tjera, na tregojnë se cilësia e arsimit tonë në arsimin parauniverstar reflekton mjaft ulët në raport me pritshmëritë, kërkesat e të tjera. Dhe tani ka një drejtim nganjëherë të diskutimeve që është faktori kyç mësimdhënësi apo janë faktorë të tjerë. Dhe ne të gjithë e dimë që studimi PISA nuk e mat vetëm punën e mësimdhënësve, e mat sistemin. Dhe kjo na reflekton që sistemi ynë lëngon në shumë aspekte, edhe një prej aspekteve, pashmangshëm, është puna e mësimdhënësve. Sepse kur flasim për studimet, që mësimdhënia është një faktor kyç, ka edhe studiues të tjerë të cilët e përcaktojnë edhe një masë, sa për qind mundet me u zhvilluar një fëmijë, një grup i fëmijëve, një gjeneratë, prej punës së drejtpërdrejtë të mësimdhënësve”, u shpreh ai.
Alejtin Berisha, i cili është ndërmarrës në fushën e arsimit, tha se për dallim nga ndryshimet globale, arsimi po ecë ngadalë në këtë aspekt.
“Jemi në pikën e ndryshimeve më të mëdha në histori, sidomos intelegjenca artificiale është duke e ndryshuar mënyrën se si punojmë, si jetojmë. Ndërsa, arsimi duke lëvizur shumë më ngadalë, gati si çdoherë. Jemi duke funksionuar në sistemin e revolucionit industrial të shekullit 19. Tash, nuk ka më vështirë se me qenë sot arsimtar, drejtues i institucioneve për t’i përgatitur nxënësit për punë të cilat nuk e dinë se qysh duken. Për shkak se nuk e kemi idenë as se si do të duket tregu i punës as për tri vjet e ardhshme, pesë apo dhjetë apo 50 vjetët e ardhshme”, përfundoi ai.
Burimi: botasot.info


