I dyshuar për ryshfet prej disa dhjetëra mijëra eurosh
Ish-avokati i shtetit, Fehmi Stafa, është arrestuar dhe dyshohet për ryshfet të paligjshëm prej disa dhjetëra mijëra eurosh, mëson Plusinfo.
Fehmi Stafa në periudhën e kaluar është përmendur edhe si një nga kandidatët e interesuar për anëtar të Këshillit Gjyqësor, në vendin që u lirua pas përfundimit të mandatit të Selim Ademit. Procedurën për zgjedhjen e anëtarit të ri të Këshillit Gjyqësor e udhëheq Kuvendi, por ajo ende nuk është finalizuar.
Fehmi Stafa ka qenë avokat i shtetit i Republikës së Maqedonisë së Veriut nga gushti i vitit 2018 deri në vitin 2022. Avokati i shtetit është institucion përgjegjës për mbrojtjen juridike të shtetit dhe interesave të tij pasurore-juridike, si dhe për përfaqësimin e shtetit në procedura gjyqësore dhe të tjera ligjore. Gjatë mandatit të tij, Stafa ka qenë i përfshirë në disa lëndë të ndjeshme me interes të lartë publik.
Burimi: alfax.mk


