Shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë, në vijim të kontrolleve të kryera në bazë të analizës së riskut ndaj shtetasve dhe mjeteve me të cilat ata lëvizin, në pikën kufitar Kapshticë kanë goditur dy raste të kontrabandës me mallra, raporton KosovaPress.
Me këtë rast u arrestua në flagrancë shtetasi A. M. (46), banues në Shënkoll, Lezhë, i cili pas paraqitjes në hyrje të PKK Kapshticë, ka kryer procedurat e regjistrimit në sistemin TIMS dhe është larguar pa kryer procedurat e mëtejshme doganore për një sasi prej 1506 kg mjaltë kontrabandë, të cilën e kishte në automjetin që drejtonte. Sasia e mjaltit u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Në kuadër të kontrolleve nga shërbimet e Policisë Kufitare u ndaluan shtetasit në kërkim E. Rr. (26), banues në Elbasan, pasi Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan e ka dënuar me nëntë muaj burg, nga të cilat i kanë mbetur për të vuajtur edhe dy muaj e njëmbëdhjetë ditë për veprën penale moskallëzimi i krimit.
Po ashtu është ndaluar shtetasi E. E. (33), banues në Pogradec, pasi Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë arrest në burg, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Ndërsa u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit I. L., (35), banues në Paskuqan, Tiranë, për veprën penale kontrabanda me mallra të tjera dhe E. M., (35), banues në Korçë, me detyrë doganier pranë PKK Kapshticë, për veprën penale shpërdorimi i detyrës.
Në afërsi të Pikës së Kalimit Kufitar Kapshticë, u konstatua automjeti me drejtues shtetasin I. L., dhe nga kontrolli i të cilit u gjet një sasi e konsiderueshme vaj ulliri pa dokumentacion, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Nga veprimet e mëtejshme hetimore dyshohet se doganieri E. M. ka shpërdoruar detyrën, pasi nuk ka ushtruar kontroll në automjetin e shtetasit I. L.
Gjithashtu, shërbimet e DVKM Korçë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për veprën penale kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror për shtetasit F. Xh. (46), banues në fshatin Zvezdë, Maliq, V. R. (46), banues në Pogradec, B. Xh. (55), banues në fshatin Sohodoll, Peshkopi, pasi dyshohet se kanë kaluar kufirin nga Greqia në drejtim të Shqipërisë, në mënyrë të paligjshme.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.
Burimi: botasot.info


