Familjarët e viktimave të luftës në Prizren kanë kërkuar ashpërsimin e dënimit ndaj Millosh Pleskoviqit, i cili është dënuar me 15 vjet burgim për krime lufte. Kërkesa u bë gjatë seancës së Gjykatës së Apelit, ku po shqyrtohet ankesa ndaj aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Mihrije Daçaj, nënë e dy binjakëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë, ka deklaruar para trupit gjykues se dënimi i shqiptuar nuk përfaqëson drejtësi për humbjen dhe vuajtjet e familjes së saj. Ajo kërkoi që Pleskoviqit t’i shqiptohet burgim i përjetshëm.
“Burg për jetë se mi kanë mbyt dy djemtë në Has. Nuk kam pasë çka me shti në tokë”, ka theksuar ajo shkurt pas seancës.
Në të njëjtën linjë u shpreh edhe përfaqësuesi ligjor i palës së dëmtuar, avokati Blend Gjini, i cili tha se dënimi prej 15 vjetësh është i ulët në raport me peshën e veprës penale. Sipas tij, bëhet fjalë për vrasje të civilëve shqiptarë dhe ligji parasheh dënim deri në 20 vjet burg, duke e bërë të pajustifikuar ankesën e mbrojtjes së të akuzuarit.
Ai i kërkoi Gjykatës së Apelit që të refuzojë ankesën e avokates së Pleskoviqit dhe të shqyrtojë mundësinë e një dënimi më të rëndë.
Millosh Pleskoviq u dënua në korrik të vitit të kaluar nga Gjykata Themelore në Prishtinë për krime lufte të kryera në Prizren. Sipas aktgjykimit, u vërtetua se ai, në bashkëkryerje me persona të tjerë, ka vrarë tre civilë shqiptarë dhe ka plagosur disa të tjerë gjatë luftës.
Vendimi fillestar u kundërshtua ashpër nga familjarët e viktimave, të cilët e konsideruan dënimin të papërputhshëm me krimin e kryer. Ndërkohë, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e kishte cilësuar aktgjykimin si hap të rëndësishëm drejt drejtësisë për viktimat e luftës.
Aktakuza ndaj Pleskoviqit u ngrit më 7 qershor 2024, pas kallëzimit penal të Policisë së Kosovës në shtator 2023. Ai ishte arrestuar më 29 shtator 2023, nën dyshimin se më 1 shtator 1998, në zonën e “Hoqa Mahalla” në Prizren, si pjesëtar i forcave serbe, kishte marrë pjesë në vrasjen e civilëve shqiptarë.
Në procesin gjyqësor, Prokuroria Speciale kishte propozuar dëgjimin e 14 dëshmitarëve, përfshirë edhe një dëshmitar anonim me kodin F1.
Burimi: botasot.info


