Zjarri është shuar, nuk ka djegie aktive, por ka tym të dendur që depërton përmes dheut dhe rërës nga vendet e mbuluara. Ka mbetur që të mbulohet edhe një pjesë e sipërfaqes së djegur, deklaroi sot Stojançe Angellov, drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH), për situatën në vendin e zjarrit në Trubarevë, që shpërtheu dje rreth orës 14:00 në një magazinë për riciklim të mbetjeve plastike, elektronike dhe baterive.
Në një deklaratë video, Angellov tha se falë “ndërhyrjes së guximshme, të shpejtë dhe të përkushtuar të zjarrfikësve të Shkupit si dhe të gjithë aksionit të organizuar në mënyrë të shkëlqyer për shuarjen e zjarrit, janë shpëtuar katër objekte në këtë lokacion” edhe pse, siç theksoi, ato ndodhen menjëherë pranë objekteve të djegura të kompanisë “F”.
“Nga ajo që mund të vërej këtu, bëhet fjalë për bale të mëdha me mbeturina plastike, shishe plastike dhe mbetje të tjera, të paketuar në mënyrë të rregullt. Zjarri është shuar. Për fat të keq, ende kemi tym aktiv. Pjesa ku ndodhen bateritë e litiumit është e mbuluar me rërë, ndërsa në disa vende është përdorur dhe, aty ku nuk ka bateri litiumi, pra mbetje elektronike. Mirëpo, tymi del përmes rërës dhe dheut të hedhur. Për fat të keq, tymi ende është i dendur, zjarrfikësit po punojnë në lagien e rërës për shuarjen e plotë të zjarrit, sepse ky lloj mbetje elektronike është jashtëzakonisht i vështirë për t’u shuar. Zjarrfikësit punuan gjatë gjithë natës”, theksoi Angellov.
Ai njoftoi gjithashtu se rreth orës 2:30 kanë marrë një lajmërim se sërish ka pasur zjarr në deponinë “Drisla” dhe menjëherë është nisur atje. “Shiheshin disa gjuhë zjarri, por ishte gazi që avullon nga kjo deponi. Aty dërguam një ekip të brigadës së zjarrfikësve të Shkupit, i cili e shoi zjarrin që paraqiste rrezik të përfshinte pjesën kryesore të deponisë. Tani situata në ‘Drisla’ është stabile, po vazhdojmë me mbulimin agresiv të pjesës së mbetur, sepse të paktën gjysma e vendit që dje digjej në ‘Drisla’ është tashmë e mbuluar. Por një pjesë e mekanizimit është zhvendosur edhe këtu, në zjarrin e madh në Trubarevë”, tha Angellov.


