Kryetari i Komunës së Dibër, z. Fisnik Mela, priti për një vizitë zyrtare Shkëlqesinë e Tij, Fatih Ulusoy, Ambasador i Republikës së Turqisë në Shkup, duke theksuar mundësitë për thellim të bashkëpunimit institucional dhe projekte konkrete me interes të përbashkët.
“Gjatë takimit u diskutua për marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve mike, mundësitë për thellimin e bashkëpunimit institucional, si dhe për projekte konkrete në fusha me interes të përbashkët, veçanërisht në kulturë, arsim, turizëm dhe zhvillim lokal,” thuhet në njoftimin e komunës.
Në kuadër të vizitës, Ambasadori Ulusoy fali namazin e xhumasë në Xhaminë “H. Vehbi Dibra”, një nga objektet më të rëndësishme fetare të qytetit, dhe vizitoi disa monumente të trashëgimisë kulturore, përfshirë Hamamin e Dibrës, shtëpitë tradicionale dhe Xhaminë e Hynqarit, duke u njohur nga afër me vlerat historike dhe arkitekturore të qytetit.
Komuna e Dibrës shpreh mirënjohje për vizitën e Shkëlqesisë së Tij dhe rikonfirmon gatishmërinë për “forcimin e mëtejmë të bashkëpunimit me Republikën e Turqisë në të mirë të qytetarëve dhe zhvillimit të përbashkët.”
Burimi: alfax.mk


