ambasadori guerot mesazh partive gjejeni vete kompromisin dhe daljen nga bllokimi 6a5692d2aef10

​Ambasadori Guerot mesazh partive: Gjejeni vetë kompromisin dhe daljen nga bllokimi

July 14, 2026
min lexim

Këtë të marte Ambasada e Francës në Kosovë organizoi Festën Kombëtare Franceze.

Në fjalën e tij, ambasadori francez në Kosovë, Olivier Guerot, tha se shpresojnë që të kenë fishekzjarr për ta festuar fitoren e kombëtares së Francës ndaj Spanjës në futboll, teksa dha edhe porosi për partitë politike që të krijohen sa më shpejtë institucionet.

Guerot, mesazh partive politike: Formojini institucionet

Të gjithë shpresojmë fishekzjarre të tjera sonte: një ndeshje me shumë gola në gjysmëfinalen e Kupës së Botës. Shpresoj që golat të jenë francezë. Duke filluar nga ora 21:00, ndeshja do të transmetohet në ekranet brenda dhe jashtë sallës dhe ju ftoj të qëndroni e ta ndjekim së bashku. Teksa po përgatisja këtë fjalim të shkurtër, kërkova fjalimin tim të vitit të kaluar për të gjetur frymëzim. Aty hasa një paragraf që, për fat të keq, ndiej detyrimin ta përsëris: Është një mesazh i drejtuar me respekt udhëheqësve politikë të Kosovës. Për të nënshkruar marrëveshje me ju dhe për t’i zbatuar ato, ne kemi nevojë për institucione funksionale. Qeveritë mike të Kosovës, përfshirë edhe Qeverinë franceze, në emër të së cilës po flas, kanë nevojë për partnerë me të cilët mund të ecin përpara dhe ta shoqërojnë Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit evropian. Prandaj, më lejoni t’u bëj një thirrje të gjithë liderëve politikë të këtij vendi, pa përjashtim, pavarësisht partisë së cilës i përkasin apo komunitetit që përfaqësojnë. Një thirrje që ta gjejnë vetë rrugën e kompromisit, ta gjejnë vetë daljen nga situata e bllokimit, me të cilën asnjë qytetar nuk është i kënaqur. Një thirrje që të gjejnë rrugët për një funksionim gjithëpërfshirës të institucioneve të Kosovës. Ky ishte mesazhi im i vitit të kaluar. Pas një viti dhe dy palë zgjedhjesh, ky mesazh mbetet aktual”, tha Guerot.

Ambasadori i Francës paralajmëroi një vizitë të një anëtari të qeverisë franceze në Prishtinë, duke thënë se kjo ngjarje do të shënojë fillimin e një procesi të rëndësishëm të zhvillimit ekonomik.

Guerot paralajmëron vizitë një anëtari të qeverisë franceze në Kosovë

I nderuar Kryeministër, ju jeni pritur në Pallatin Élysée dhe ne po punojmë me ekipet tuaja për vizitën e një anëtari të Qeverisë franceze në Prishtinë, në të ardhmen e afërt. Jam i bindur se kjo vizitë do të shënojë fillimin e një procesi në të cilin Franca do të luajë një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Franca në Kosovë është, si kudo në botë, një partner i angazhuar, i vendosur, i besueshëm dhe solidar.

Franca bart në Kosovë të njëjtat vlera dhe bindje që mbron në Evropë dhe kudo tjetër në këtë botë të ashpër. Ne jemi krenarë për përkushtimin tonë ndaj së drejtës ndërkombëtare, drejtësisë ndërkombëtare dhe multilateralizmit”, tha ai.

Ndërsa, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se Franca e ka formësuar botën, jo vetëm përmes politikës, por edhe përmes letërsisë, filozofisë, shkencës, artit e diplomacisë.

Kurti: Franca e ka formësuar botën jo vetëm përmes politikës

Republika Franceze ka formësuar botën jo vetëm përmes politikës, por edhe përmes letërsisë, filozofisë, shkencës, artit dhe diplomacisë. Ajo u ka kujtuar brezave se idetë i japin drejtim shoqërisë, kultura i jep thellësi, ndërsa parimet i japin kuptim. Për Kosovën, ky ndikim nuk është abstrakt. Prandaj sonte, përtej parimeve që ky vend i ka dhënë botës, dëshiroj të flas për mbështetjen që Franca i ka dhënë vendit tonë.

E lindur nga një luftë për çlirim dhe drejtësi, Kosova ka zgjedhur demokracinë dhe lirinë, sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut, jo si fraza formale, por si themelet mbi të cilat është ndërtuar shteti ynë”, tha Kurti.

Për Kosovën, tha Kurti, Franca ka qenë mike dhe aleate në momente vendimtare.

Kurti: Për Kosovën, Franca ka qenë aleate në momente vendimtare

Për ne, Franca ka qenë një mike dhe aleate në momentet vendimtare. Ajo qëndroi pranë popullit tonë gjatë luftës, e njohu pavarësinë e Kosovës një ditë pas shpalljes së saj dhe ka vazhduar të na mbështesë në forcimin e shtetit dhe demokracisë sonë. Sot, partneriteti ynë po bëhet gjithnjë e më konkret dhe më përmbajtësor. Këtë e shohim përmes dialogut politik, bashkëpunimit institucional, angazhimit kulturor dhe shkëmbimeve në fushën e arsimit. Ai nuk kufizohet vetëm në deklarata; ai shndërrohet në punë konkrete, ndërton besim dhe i shërben një qëllimi.

Dhe për Kosovën, ai qëllim është gjithashtu evropian. Rruga jonë drejt Bashkimit Evropian nuk është vetëm një proces anëtarësimi; ajo është një zgjedhje demokratike, një disiplinë institucionale dhe vendi ynë i natyrshëm mes shteteve të Evropës”, tha Kurti.

Burimi: botasot.info

VERO

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

trump terhiqet nga tarifa per hormuzin 6a568e41e9315
Lajmi i mëparshëm

Trump tërhiqet nga tarifa për Hormuzin

kos shfuqizimi i ligjit per zonat e mbrojtura dhe ai per investimet strategjike thelbesor per integrimin e shqiperise ne be 6a56932fb2c82
Lajmi i radhës

Kos: Shfuqizimi i ligjit për zonat e mbrojtura dhe ai për investimet strategjike, thelbësor për integrimin e Shqipërisë në BE

Të fundit nga

ShkoLartë