Përfaqësuesi i PD-së, Ilir Alimehmeti, diskutoi mbi sfidat e ribërjes së opozitës dhe të ardhmen e saj.
Alimehmeti theksoi se sfida më e madhe e partisë mbetet bashkimi dhe riorganizimi i brendshëm.
“Në pranverë mbarojnë mandatet në PD dhe do të ketë zgjedhje brenda partisë. Të paraqesin kandidatura në mënyrë që të ecim të bashkuar,” tha ai.
Duke i dhënë rëndësi maksimale garave vendore, Alimehmeti u shpreh se PD duhet të shpenzojë energji në zgjedhjet aktuale, pasi ato paraprijnë zgjedhjet e përgjithshme vendore.
Hapja dhe gara e Tiranës
Lidhur me strategjinë e partisë, përfaqësuesi i PD-së theksoi hapjen e Partisë Demokratike drejt ideve dhe figurave të reja, siç është pranimi i kandidatëve të pavarur jashtë PD-së.
Duke komentuar garën në Tiranë, ai sqaroi pozicionin e kandidatit të tyre: “Binaj nuk është jopolitik, por është jopartiak.” Alimehmeti nënvizoi se PD mbështet lirinë e fjalës dhe të kandidimit, duke e parë garën si formatin ku çdo qytetar ka të drejtë të zgjedhë dhe të zgjidhet.
Në fund, Alimehmeti pranoi se, përtej rregullave të shkruara, në politikë vlejnë më shumë “rregullat e xhentëllmenëve” dhe “paktet mes njerëzve”, duke lënë të kuptohet se marrëveshjet informale janë shpesh herë kyçe për funksionim.
Ai konfirmoi se nuk ka ankimime të anëtarëve në gjykatë për çështje statuti, duke sugjeruar një qetësi relative në bazë.
Burimi: botasot.info


