Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar ashpër pas sulmeve të fundit ndaj deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, duke i cilësuar ato si të papranueshme dhe të motivuara nga interesa të ngushta politike.
“Sulmet ndaj deputetes Fitore Pacolli nuk janë asgjë e re. Që prej dy vitesh, prej momentit që ajo ka guxuar të denoncojë interesa të padrejta, ajo është përballur me sulme të pandërprera,” ka shkruar Haxhiu në një reagim publik.
Ajo theksoi se edhe përballë akuzave të pabaza dhe sulmeve brutale, Pacolli vazhdon të qëndrojë e fortë, duke mos pasur asnjë përgjegjësi për çështjet që i atribuohen dhe që, sipas saj, janë lehtësisht të verifikueshme si të pavërteta.
“Ata që e njohin, e dinë përkushtimin e saj. Ajo nuk është thjesht një politikane, është një grua që lufton me guxim dhe ndershmëri për të qenë zëri i atyre që nuk dëgjohen,” shtoi Haxhiu.
Reagimi në facebook:
Sulmet ndaj deputetes Fitore Pacolli nuk janë asgjë e re. Qysh prej dy vitesh, prej momentit që ajo ka guxuar të denoncojë interesa të ngushta dhe të padrejta, ajo është përballur me sulme të pandërprera.
Edhe sot, përballë akuzave të pabaza dhe sulmeve brutale, ajo qëndron e fortë për diçka për të cilën nuk ka asnjë përgjegjësi, një fakt i thjeshtë që mund të provohet lehtësisht, dhe që e dinë mirë edhe ata që përhapin shpifje.
Ata që njohin deputeten Fitore Pacolli e dinë mirë përkushtim e saj. Ajo nuk është thjesht një politikane, është një grua që lufton çdo ditë me guxim dhe ndershmëri, për t’u bërë zëri i atyre që shpesh nuk dëgjohen dhe për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për të gjithë ne.
Sulmet e vazhdueshme ndaj saj janë të papranueshme dhe janë përpjekje të qarta për ta ndaluar dhe diskredituar përmes gënjeshtrave pa asnjë bazë. Por as deputetja Pacolli dhe as ne nuk do të heshtim. Nuk do të lejojmë që padrejtësia të fitojë mbi të vërtetën.
Bëj thirrje për respekt, drejtësi dhe përgjegjësi. Të vendosim një fund për këtë valë shpifjesh dhe të mbrojmë atë që është e drejtë dhe e vërtetë sepse vetëm kështu mund të ndërtojmë një shoqëri të drejtë dhe demokratike.
Burimi: botasot.info


