Kosova rrezikon të përballet me një krizë të thellë energjetike në vitin 2026, pasi për katër vjet me radhë nuk është shtuar asnjë kapacitet i ri për prodhimin e energjisë elektrike. Ky alarm vjen në një kohë kur nevoja për energji është në rritje të vazhdueshme, e nxitur nga proceset e digjitalizimit dhe zhvillimit teknologjik.
Në një intervistë për KosovaPress, kandidati për deputet nga radhët e LDK-së Ermal Sadiku, thotë se vendi ka stagnuar qe nga viti 2019, pasi nuk është shtuar asnjë kilovat të ri në sistemin energjetik.
Ai thotë se janë kritikuar ashpër vendimet për të mos avancuar me projekte kyçe, siç është ai i termocentralit me gaz amerikan, refuzimi i të cilit konsiderohet një pengesë serioze për sigurinë energjetike të vendit. Gjithashtu, thotë se projekte të tjera potenciale, përfshirë ato solare, me erë dhe hidrocentrale, edhe pse të nisura, nuk janë vënë në funksion.
Në programin e saj për energjinë, LDK e konsideron këtë sektor si një nga prioritetet kryesore të zhvillimit ekonomik. Zgjidhja, sipas tyre, qëndron në një strategji të dyfishtë: shfrytëzimin e pasurive natyrore të vendit dhe investimin në burime të ripërtërishme.
Sadiku: LDK ka programin e saj shumë të qartë në raport me energjinë elektrike
“Zona të prekshme është dashur të prodhojnë rrymë. Vitin 2026, ne kemi problem. Për katër vjet Kosovës nuk iu ka shtua asnjë kilovat rrymë. Ne flasim për digjitalizim, për teknologji, për gjëra të tilla, po për krejt këto nevojitet rrymë. Kosovës nuk iu është shtuar prej 2019-ës pothuajse asnjë kilovat rrymë. Ka projekte solare që kanë mund të bëhen, hidro, me erë, janë nisur, por nuk janë lëshuar disa që kanë qenë prej së kaluarës… LDK-ja e ka një program shumë të qartë në raport me energjinë, e ka një prej prioriteteve të zhvillimit ekonomik ose shtimin e kapaciteteve të reja energjetike të Kosovës. Termocentrali me gaz është një prej tyre, por edhe përdorimi i thëngjillit, sepse thëngjilli është pasuria kryesore nëntokësore e Kosovës. Ne e dimë që nuk është e lehtë të bëhet kjo, sepse ka presion prej shteteve për shkak të të ndotjes së ambientit. Por megjithatë, Kosova sot është një ndër shtetet më të fuqishme sa i përket rezervave të thëngjillit. Edhe për të mirën e qytetarëve të Kosovës ne duhet me gjetur mënyra si ky thëngjill të shfrytëzohet, qoftë edhe për gjëra të tjera, jo vetëm për energji. Por patjetër, në të njëjtën kohë duhet dhënë hapësirë projekteve të vogla të energjisë së ripërtërirë të zhvillohen, qoftë nga partneritetet publiko-private, qoftë nga vetë investitorët privatë”, ka thënë Sadiku.
Burimi: botasot.info


