Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet dhe ka dërguar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykimin e procedimit penal nr. 73 të vitit 2024, në ngarkim të të pandehurve:
- Kledian Llaho, i akuzuar për veprat penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarit, prokurorit, apo funksionarëve të tjerë të sistemit të drejtësisë”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319/ç dhe 25 të Kodit Penal, dhe “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë”, në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 245/1 paragrafi i katërt, dhe neni 25 të Kodit Penal.
- Vasil Bakalli, i akuzuar për veprat penale “Korrupsion pasiv i gjyqtarit, prokurorit, apo funksionarëve të tjerë të sistemit të drejtësisë”, në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 319/ç dhe 25 të Kodit Penal, dhe Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë”, në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 245/1, paragrafi i katërt dhe 25 të Kodit Penal;
- Pando Papuçi, i akuzuar për veprën penale Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë”, parashikuar nga neni 245/1, paragrafi i dytë i Kodit Penal në 2 episode;
- Çlirim Shahini, i akuzuar për veprën penale“Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë”, parashikuar nga neni 245/1, paragrafi i katërt i Kodit Penal.
Kallëzuesi, shtetasi M.A është hetuar penalisht nga Prokurori Kledian Llaho, në kuadër të një hetimi penal të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Ndërkohë është dokumentuar fakti penal se prokurori, Kledian Llaho ka qenë i njëanshëm në hetimin e procedimit penal
nr.774/2021. Qëndrimi i tij lidhet me marrëdhënien që familja e kallëzuesit (shtetasit M.A) kishte me vjehrrin e prokurorit, sepse ishte qiramarrës i një objekti hotel, në pronësi të vjehrrit të prokurorit. Shtetasi M.A kishte njohur investimin e kryer dhe për rrjedhojë detyrimin ndaj qiramarrësve në shumën prej 1.800.000 (një milion e tetëqind mijë) lekë.


